Policia dyshon se autorët e dhunës ndaj avokatit Sokol Mëngjesi kanë kaluar kufirin. Nga kontrolli i sistemit TIMS rezulton se Drivald Alia, Elton Kasaj dhe Romario Tabaku ndodhen në Shqipëria, por hetuesit besojnë se ata kanë dalë jashtë vendit duke përdorur kufirin e gjelbërt.

Pavarësisht kësaj, policia ka vijuar me kërkimet edhe në zonat kufitare. Dëshmia e vetdorëzuarit Dorian Alia nuk ka ndihmuar policinë ndërkohë që për arrestimin e tyre është vendosur një shpërblim prej 20 mijë eurosh.

Ndaj tyre është ngritur akuza e vrasjes së funksionarëve publik e mbetur në tentativë, por pritet rikualifikim i veprës penale nga prokuroria, pasi 5 personat dyshohet se kanë vepruar në bashkëpunim me njëri-tjetrin.

Në spitalin e Traumës ishte sërish drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, i cili shoqërohej nga zëvendësi Alket Shatro. Ata u interesuan për gjendjen shëndetësore të avokatit. Burime për Klan News thonë se nga skaneri i fundit, ka rezultuar se, hematoma në tru nuk është zmadhuar, duke rezultuar efikase koma artificial.

Megjithatë mjekët thonë se duhet pritur deri të hënën për të parë reagimin e tij. Avokati Sokol Mëngjesi u dhunua me dorezë hekuri në derën e kopshtit, sapo kishte lënë djalin e tij. Ngjarja ndodhi rreth orës 08:30 të mëngjesit të 29 Majit në ish-Bllok.

Organizatori i këtij sulmi dyshohet se është Dritan Nano, i cili është ndaluar nga policia. Klan News mëson se ai nuk ka pranuar të zbatojë kontratën që e detyronte t’i paguante avokatit përqindjen pas fitimit të procesit gjyqësor.

Për moszbatimin e kontratës avokati Mëngjesi e paditi në gjykatë dhe përmbarimi i bllokoi pronën Nanos. Ky i fundit angazhoi lidhjet e tij shoqërore për të kërcënuar avokatin që të tërhiqej.

Klan News