Autoritetet e RMV: Gati plani për vaksinimin



Autoritetet e RMV: Gati plani për vaksinimin

18:30 17/01/2021

“Masat shtrënguese dhanë rezultat e duhura”

Muajin e ardhshëm, sipas autoriteteve shëndetësore në Maqedoninë e Veriut, pritet të arrijnë dozat e para të vaksinave  nga  kompania “Pfizer” dhe mekanizmi Covax, ndërsa sistemi shëndetësor, siç thonë, është i gatshëm për vaksinim.

Ministri i Shëndetësisë, Venko FIlipçe dje në mbledhje të Qeverisë i prezantoi informatat më të reja për furnizimin e vaksinave kundër COVID-19 nga prodhuesi Pfizer, për vazhdimin e kontakteve intensive për furnizim dhe dërgesë të kësaj vaksine, përfshirë aspektet e procedurës për furnizim e cila duhet të zbatohet, si dhe për regjistrim të vaksinës në shtet.

“Sistemi shëndetësor është tërësisht i përgatitur për vaksinim, ndërsa në shkurt pritet të arrijnë dozat e para nga “Pfizer” dhe mekanizmi “Covax”. Tashmë kanë arritur dy frigoriferë të cilët ishin paralajmëruar si donacion për vaksinën e Fajzerit e cila ruhet në -70 gradë, ndërkaq edhe tre priten gjatë javëve në vijim. Në një frigorifer mund të deponohen 100 mijë doza të vaksinave”.

Filipçe paralajmëroi se për kohë të shkurtë do të arrihet marrëveshje me kompaninë Pfizer, prej nga priten 5.850 doza në shkurt, ndërsa nga 17.500 në Mars dhe në Prill. Sasia e përgjithshme e vaksinës përmes këtij mekanizmi për shtetin tonë është 833.000 doza.

Ndërkaq, rënia e numrit të personave të infektuar me Covid-19 dhe numri i ulët i pacientëve të shtruar nëpër spitale sipas Ministrit të Shëndetësisë Venko Filipçe është si rrjedhojë e masave të ndërmarra nga ana e institucioneve kompetente.

“Duhet t’i falënderojmë qytetarët që i respektojnë masat parandaluese. Nuk kishte rritje të numrit për shkak të festave të vitit të ri si pasojë e grupeve. Tani jemi në një periudhë që duhet të shohim dhe vlerësojmë se çfarë do të rekomandojmë më tej. Masat varen nga gjendje epidemiologjike. Spitalet janë boshatisur. Më shumë se 50% e kapaciteteve të spitaleve në gjithë vendin janë bosh”, tha Filipçe.

Gjatë 24 orëve të fundit numri personave të hospitalizuar me Covid-19  në spitalet e vendit është 398 pacientë.

Klan Macedonia






Të ngjashme