Përmes këtij projekti pritet që të plotësohen 8.5% e kërkesës aktuale vjetore

Autoritetet gjermane kanë miratuar ndërtimin e terminalit të parë të gazit natyror të lëngshëm në vend i cili pritet të fillojë menjëherë.

Shefi ekzekutiv i kompanisë Uniper që është një nga importuesit më të mëdhenj të gazit rus. Klaus-Dieter Maubach në një njoftim për shtyp shpjegon rëndësinë e këtij projekti madhor.

“Miratimi i shpejtë për fillimin e ndërtimit tregon rëndësinë e terminalit LNG në Wilhelmshaven për sigurinë e furnizimit të vendit. Kjo nuk mund të merret si e mirëqenë, mbi të gjitha, kjo tregon se çfarë  mund të bëhet kur shoqëria, industria dhe politika bashkohen së bashku. Jemi krenarë që jemi në gjendje të japim një kontribut të rëndësishëm për pavarësinë e Gjermanisë në furnizimet me gaz natyror”.

Deri në 7.5 miliardë metër kub gaz natyror pritet të transportohen përmes tubacioneve. Kjo përbën rreth 8.5% të kërkesës aktuale për gaz të Gjermanisë në vit.

Projektit i shtohet edhe më shumë rëndësia pasi Berlini po përpiqet të heqë dorë plotësisht nga energjia ruse. Moska tashmë ka reduktuar ndjeshëm furnizimet e gazit në Gjermani ndësa autoritet atje u kanë kërkuar  qytetarëve që të kursejnë energjinë elektrike mes frikës për një ndërprerje të plotë të gazit rus.

Për rritjen e çmimeve të energjisë ka reaguar edhe kancelari gjerman, Olaf Scholz i cili e ka quajtur një bombë sociale. Ai deklaroi se qeveria federale do të duhet të vazhdojë punën për masat që do të merren për të ndihmuar qytetarët.

Klan News