“Mundësi dhe punë”

Për kryetarin e PD-së, Lulzim Basha, sot shqiptarët largohen nga vendi për shkak se kanë më pak mundësi për arsimim, ndërsa edhe ata që arsimohen nuk kanë mundësi për punësim.

Basha shton se taksat e larta të qeverisë kanë ndikuar në xhepat e të rinjve, prandaj largimi i tyre është një plagë tjetër e madhe për Shqipërinë. Përmes një postimi në rrjetet sociale, Basha shkruan se do të bëjë maksimumin që të mbajë në vend të rinjtë.

“Plani ynë do të mbështesë iniciativat e të rinjve, kushtet e duhura për punësimin dhe sipërmarrjet e tyre. Ata kanë plot ide, pasion dhe energjinë e duhur për t’i dhënë një hov të madh pozitiv zhvillimit të vendit. Ne do të çlirojmë tregun nga monopolet që ekonomia jonë të marrë frymë lirisht: me taksa të ulëta, investime në teknologji dhe një politikë fiskale që mbështet punën”, thotë Basha.

Ai shton se plani i opozitës do të krijojë hapësira për ata që dëshirojnë të arsimohen dhe të punësohen që ta bëjnë në atdheun e tyre.

“1 në çdo 3 persona që ikën nga vendi ynë është i ri apo e re, ndërsa Shqipëria është ndër vendet me largimin më të madh të trurit në rajon, sipas raportit më të fundit nga Gallup”, shkruan ndër të tjera Basha./tvklan.al