Zëvendëspresidentja Kamala Harris ka kritikuar ish-presidentin Donald Trump për një vizitë që ai bëri këtë javë në varret e ushtarëve në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit.  

Sipas Harris kjo vizitë  është mungesë respekti për ushtarët e rënë. “Është një vend solemn; një vend ku ne mblidhemi për të nderuar heronjtë amerikanë që kanë bërë sakrificën në shërbim të këtij kombi. Nuk është një vend për politikë,” shkroi Harris në një postim “X”.

Mediat shkruajnë se ushtria amerikane tha se një punonjës i Trump-it ” shtyu papritmas mënjanë një punonjës të varrezave, i cili po përpiqej të paralajmëronte ekipin e tij për rregullat kundër xhirimeve në varreza. Fushata e Trump ka kundërshtuar këtë version dhe tha se mori leje nga familjet e ushtarëve të rënë për të filmuar duke shtuar se do të publikojnë pamjet nëse është e nevojshme. Demokratët e Dhomës së Përfaqësuesve kanë kërkuar që Ushtria Amerikane të bëjë një raport mbi incidentin.

Incidenti ndodhi të hënën, kur Trump ishte në një ngjarje për nderimin e 13 anëtarëve të shërbimit ushtarak amerikan që u vranë gjatë tërheqjes së vendit nga Afganistani tre vjet më parë. Reagimi i kandidates për presidente shënon herën e parë që Harris kritikon ish presidentin amerikan. Ajo shkroi se ka vizituar disa herë Varrezat Kombëtare të Arlingtonit në Virxhinia gjatë mandatit të saj si zëvendëspresidente dhe nuk do ta përdorte kurrë vendin për të bërë fushatë politike.

“Nëse ka një gjë për të cilën ne si amerikanë mund të biem dakord të gjithë, është se veteranët tanë, familjet ushtarake dhe pjesëtarët e shërbimit duhet të nderohen, të mos nënçmohen dhe të trajtohen me respektin dhe mirënjohjen tonë më të lartë. Dhe besoj se dikush që nuk mund ta përmbushë këtë detyrë të thjeshtë e të shenjtë, nuk duhet të qëndrojë më kurrë pas vulës së miratimeve të ligjeve që ka Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës,” tha Harris.

Kandidati për zv president i Trump, JD Vance, e përdori këtë incident për të sulmuar administratën e Bidenit mbi trajtimin e tërheqjes së vitit 2021 nga Afganistani. “Tre vjet më parë, 13 amerikanë të guximshëm dhe të pafajshëm vdiqën dhe ata vdiqën sepse Kamala Harris refuzoi të bënte punën e saj,” tha Vance. Ligji ndalon përdorimin e varrezave për fushata politike dhe Ushtria e SHBA tha se pjesëmarrësit ishin paralajmëruar për rregullat paraprakisht.

Klan News