Qeveria ka hedhur për konsultim publik projektligjin për menaxhimin e integruar të mbetjeve. Konsultimet do të jenë te hapura deri më 17 Shtator.

Në relacionin bashkëngjitur projektligjit të ri sqarohet se draft për menaxhimin e integruar të mbetjeve përmban një sërë ndryshimesh të rëndësishme që synojnë përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit shqiptar me standardet e BE-së në fushën e menaxhimit të integruar të mbetjeve.

Në përbërjen e vet ky draft ka 85 nene, dhe qëllimi kryesor i tij është

të ngrejë një sistem të menaxhimit të integruar të mbetjeve që garanton mbrojtjen e mjedisit dhe të shëndetit të njeriut dhe që mundëson tranzicionin në modelin e ekonomisë qarkulluese.

Duke ju përafruar legjislacionit të vendeve europiane, drafti përcakton se çdo vendimmarrje e qeverisë shqiptare duhet të bëhet në përputhje me nenin 6 të këtij projektligji, i cili ka një hierarki të mbetjeve, që nis parandalimin i tyre; përgatitjen e mbetjeve për ripërdorim; riciklimin; rikuperime të tjera të mbetjeve dhe në fund është hallka e asgjësimit të mbetjeve.

Drafti përcakton detyrimin e përgjithshëm për të grumbulluar mbetjet në mënyrë të diferencuar, pa bërë ndonjë dallim mes rrymave specifike të mbetjeve, dhe duke përcaktuar se masat, procedurat dhe afatet për zbatimin e grumbullimit të diferencuar për të gjitha rrymat e mbetjeve do të përcaktohen konkretisht me vendim të Këshillit të Ministrave në Strategjinë Kombëtare.

Gjithsesi direktivave e BE, por edhe në ligjin aktual të menaxhimit të mbetjeve përcaktohet grumbullimi i diferencuar i mbetjeve në burim, duke nis me letrën, metalin, plastikën dhe qelqin, si dhe duke shtuar më pas rrymat e reja  si mbetjet bio, mbetjet tekstile dhe fraksionet e mbetjeve të rrezikshme të krijuara në shtëpi. edhe pse janë bërë disa herë tentativa dhe nga pushteti vendor, ndarja në burim e mbetjeve në Shqipëri nuk ka funksionuar.

Një risi e këtij  projektligjit është se parashikohet shprehimisht që njësitë e qeverisjes vendore do të konsultohen për masat, kriteret dhe afatet e grumbullimit të diferencuar të rrymave të mbetjeve. Në këtë mënyrë garantohet pjesëmarrja aktive e pushtetit vendor, të cilat janë institucionet përgjegjëse për menaxhimin e integruar të mbetjeve në territorin e tyre.

Në draft përcaktohet se kostot e menaxhimit të integruar të mbetjeve, duke përfshirë kostot e infrastrukturës dhe operimit të saj, mbulohen nga krijuesi ose nga zotëruesi i mbetjeve në përputhje me parimin “Ndotësi paguan”.

Ndërkohë që një pikë me shumë interes për të gjithë publikun është edhe neni, 73 I këtij projektligji, i cili sanksionon se ndalohet importi i mbetjeve të rrezikshme dhe transiti i tyre në territorin e Shqipërisë, si dhe ndalohet edhe importi i mbetjeve jo të rrezikshme për qëllim ruajtjeje ose asgjësim.

Ndarja e landifilleve në tre tipe, por edhe mënyra e grumbullimit si dhe depozitimi në këto landifille janë përcaktuar qartazi në këtë draft, ndërkohë që përcaktohet se kush janë mbetjet që do të shkojnë për incenerim, edhe pse në këtë projektligj incenerimi është hallka e fundit që duhet të ndiqet, pasi një nga parimet kryesore të këtij projektligji është ajo e ekonomisë qarkulluese që mbetjet i përcaktojnë si burim.

Projektligji ka të përcaktuar shumë qartë edhe masat ndëshkuese për shkelësit e ligjit duke parashikuar edhe gjoba ku vlera maksimale arrijnë në 2.6 milion lekë. Vlerat e gjobave janë në varësi të shkeljeve dhe dëmit që i shkakton mjedisit dhe popullatës.

Klan News