Bashkia çel konkursin për godinën e re

Bashkia çel konkursin për godinën e re

19:23 23/01/2020

Veliaj: Hedhim spirancën e zhvillimit në veri të Tiranës

Të gjitha shërbimet që ofron Bashkia e Tiranës do të jepen në një godinë të vetme, e cila do të ndërtohet në Bulevardin e Ri. Kryebashkiaku Veliaj lajmëroi çeljen e garës për projekt-idenë e ndërtesës së re, e cila do të jetë me zero gjenerim karboni dhe e pavarur nga energjia e rrjetit.

“Jam shumë i lumtur sot që në 100-vjetorin e Tiranës kryeqytet shpallim një konkurs për një ndërtesë të re të Bashkisë së Tiranës, një ndërtesë administrative me rreth 1200 poste pune, e cila besoj do hedhë spirancën e zhvillimit në veri të qytetit”.

Në këtë bulevard do të vendosen edhe shumë prej institucioneve të tjera shtetërore.

“Tashmë kanë mbaruar PDV e Bulevardit, ka mbi 10-12 shprehje interesi për të zhvilluar pronat e tyre këtu. Sigurisht, Shqipëria dhe Tirana është vendi i gjobave të mëdha, këtu të gjithë duan nga 30 kate, por do marrin aq sa është plani. Kështu që, mund të bëjnë çfarë të duan me TV e tyre, por jo tek unë gjobë dhe jo gjobë te Bashkia e Tiranës sa të jem unë”.

Veliaj foli dhe për Teatrin e ri, puna për të cilin do të nisë së shpejti.

“Për të gjithë ata që thonë kur do prishet, kjo nuk është sipas qejfit, por sapo të kenë mbaruar të gjitha procedurat, sapo të shkojë në Parlament kontrata e re, të jepet leja për Teatrin e ri dhe ne do të kemi teatrin më të bukur në të gjithë Europën Juglindore”.

Së shpejti Bashkia pritet të hapë konkursin edhe për qendrat e reja të qytetit, që do të shërbejnë si pole të zhvillimit, si Kombinati apo Kinostudio.

Tv Klan




Grupi
LAJMET
Të ngjashme


Grupi