Mbi 90% e gazit dhe naftës nga importet

Në përfundim të mbledhjes së ministrave europianë të ekonomisë, Komisioneri Europian për Ekonominë, Paolo Gentiloni deklaroi se kostoja e gazit është gjashtë herë më e lartë se vitin e kaluar.

Sipas tij edhe rritja e çmimit me shumicë të energjisë elektrike është shkaktuar për shkak të kërkesës së lartë globale për gaz dhe furnizimit të pamjaftueshëm. Këto çmime të gazit nga ana tjetër përcaktojnë çmimin në tregjet e energjisë elektrike, pasi mbi një e pesta e energjisë elektrike të Europës vjen nga gazi natyror. Ai paralajmëroi një krizë që ka të ngjarë të ndikojë në faturat e konsumatorëve këtë dimër dhe që nuk ka gjasa të zbutet para pranverës.

“Çmimi i gazit, naftës dhe energjisë elektrike ka gjasa të ulet në pranverën e vitit 2022 ndërsa qeveritë po përpiqen të lëshojnë subvencione dhe të ulin taksat në një përpjekje për të mbrojtur konsumatorët. Rritja e çmimeve të gazit natyror ka nxitur inflacionin në nivelin më të lartë në 13-vitet e fundit në shifrën prej 3.4% në 19 vendet e Eurozonës. Ne do të diskutojmë më vonë në Tetor idenë e krijimit të një rezerve strategjike të gazit të BE-së dhe shkëputjen e çmimeve të energjisë elektrike nga çmimet e gazit”.

BE-ja është shumë e varur nga importet e gazit natyror që vijnë nga jashtë bllokut, ndërsa prodhimi vendas zvogëlohet.

B -ja importon gati 90% të gazit të saj natyror dhe të naftës nga jashtë ndërsa Rusia është eksportuesi më i madh i gazit natyror në bllok, duke përfaqësuar 43.4% të importeve nga jashtë e ndjekur nga Norvegjia.

Gazi natyror është burimi energjitik i dytë më i konsumuar në te 27 vendet anëtare të BE-së pas naftës dhe produkteve të naftës.

Disa ekspertë kanë argumentuar se një pjesë e problemit është varësia nga karburantet fosile dhe se kalimi në më shumë burime të rinovueshme do të ndihmojë në zgjidhjen e problemit. Ministrat europianë të financave parashikojnë se konsumatorët evropianë mund të përballen me një kosto shtesë të energjisë prej 100 miliardë eurosh në dimrin e ardhshëm. Franca dhe Spanja kërkuan ndryshime në tregun e energjisë të BE -së në blerjet e zakonshme të gazit natyror dhe mundësitë për rezerva më të mëdha.

Në Spanjë, ku tarifat e energjisë elektrike të paguara nga më shumë se një e treta e familjeve janë të lidhura me çmimet e larta të tregut, kriza e energjisë ka dominuar axhendën politike për muaj të tërë.

Greqia propozoi një mekanizëm në mbarë BE-në për të përballuar rritjen e kostove të energjisë pas luhatjeve të mëdha të çmimit të gazit për të ndihmuar familjet të përballen me rritjen e çmimeve të energjisë.

Greqia i bëri thirrje Komisionit Evropian të marrë në konsideratë krijimin e një fondi në mbarë BE-në për mbrojtjen kundër rritjes së çmimeve të gazit.

Mekanizmi mund të tërheqë fonde nga pagesat paraprake të lejimeve të emetimit të karbonit që do të ndaheshin në vendet e BE bazuar në konsumin e tyre të ngrohjes dhe energjisë dhe në produktin e tyre bruto për frymë, tha ministri grek i financave Christos Staikouras. Propozimi grek përfshin gjithashtu ankandin e lejimeve shtesë të emetimeve të karbonit përmes sistemit të tregtimit të emetimeve të BE -së, i cili do të prodhonte të ardhura shtesë për vendet e BE -së për t’i ndihmuar ata të financojnë skemat kompensuese për konsumatorët në sezonin e dimrit.

Tregu energjetik i BE -së nuk është i përshtatshëm për atë që duam të arrijmë,” tha Bruno Le Maire, ministri i ekonomisë i Francës

Sipas tij ka një pengesë të madhe, e cila është përafrimi i çmimeve të energjisë elektrike me çmimin e gazit.

Klan News