Armët që futeshin në Shqipëri nga një grup i goditur nga Policia në maj të këtij viti bliheshin në Kosovë te një person që quhej Albert, por qe atje njihej me pseudonimin Kanita.

Siç mëson Tv Klan këto të dhëna i kanë rrëfyer para hetuesve të arrestuarit, të cilët kanë pranuar rolet e tyre dhe treguar mbi linjën e trafikut me anë të linjës së autobusit Prishtinë- Tiranë.

“Armët e gjetura në çantë i kemi blerë në Prishtinë te një person që e njihet me emrin Albert, por pseudonimin e ka Kanita. Me të komunikojmë në rrjetin social ‘SNAPCHAT’.”

Gjithashtu të ndaluarit nga policia kanë treguar se shoferi i autobusit që bënte transportin drejt Tiranës merrte një shpërblim prej 25 euro për çdo pistolete.

“Shoferi i autobusit, është i përfshirë në trafikimin e armëve dhe do të përfitonte 25 Euro për çdo armë që do të shitej në Tiranë. Kemi bërë dhe dy herë të tjera shitje në Tiranë, të cilat i kemi sjellë me autobus tek një person që quhej Kristo i cili ka blerë 18 (tetëmbëdhjetë) pistoleta.”

Policia vuri në pranga në maj 4 persona, 3 prej tyre shtetasit Blerim Krasniqi, Muhamed Krasniqi dhe Edison Thaçin për akuzën e trafikut dhe fatorino i autobusit për moskallëzim krimi.

Në rol kryesor sipas hetuesve është shtetasi Blerim Krasniqi, i cili ndihmohej nga Muhamed Krasniqi dhe paguanin shoferin e autobusit, Edison Thaçi për të bërë transportin e pistoletave.

10 pistoletat e sekuestruara në maj ne vendparkimin e një terminali autobusësh në Lundër, por edhe ato të trafikuara me parë, shiteshin për shifra që shkonin nga 1500-3000 euro.

Tv Klan