Pas pushimeve të Gushtit, deputetët nisin sot pasdite sesionin e ri parlamentar. Seanca e parë pritet të hapet me një fjalim të shkurtër të kryetares së Kuvendit Elisa Spiropali.

Pas fjalës së zonjës Spiropali, në foltoren e Parlamentit do të marrin fjalën në cilësinë e drejtuesve të grupeve parlamentare edhe  Mesila Doda, Niko Peleshi, Gazment Bardhi, dhe Agron Duka.

Para seancës së Kuvendit Blendi Çuçi ka mbledhur deputetët socialistë për të diskutuar prioritetet e betejës politike. Edhe në  kampin blu, Gazmend Bardhi ka mbledhur  grupin demokrat.

Konferenca e Kryetarëve ka miratuar kalendarin e punimeve të parlamentit për 3 javët e ardhshme ku ligji më i rëndësishëm është ai për mjekët që punojnë në spitalet publike dhe ato private.

Ndër projektligjet që pritet të kalojnë në komisione e më pas të votohen në kuvend janë ai për menaxhimin e integruar të mbetjeve, ai për shërbimin e jashtëm dhe për biokarburantet.

Seanca e radhës plenare është ajo e 12 Shtatorit, ku priten vendimet sa i përket mandatit të deputetëve socialistë Olta Xhaçka dhe Vullnet Sinaj.

I paqartë mbetet fati i kërkesës për interpelancë kërkuar nga Gazment Bardhi me kryeministrin Edi Rama në lidhje me mbetjet toksike.

Partia Demokratike po shqyrton hapësirat ligjore për ngritjen e  një komisioni hetimor për problematikën e mbetjeve të rrezikshme.

Klan News