Gjykata Administrative rrëzoi kërkesën e Fredi Belerit për sigurim të padisë për zgjedhjet e 4 Gushtit në Himarë. Togat e zeza zhvilluan seancën përgatitore ku palët dhanë argumentet e tyre. Paditës është Fredi Beleri dhe PPDNJ ndërsa palë e paditur është Presidenti i Republikës, dhe palë e tretë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Avokatja e Belerit, Klodiana Gjyzari kërkoi që të shfuqizohet dekreti i Presidentit për zgjedhjet pasi kreu i shteti nuk është vënë në lëvizje konform ligjit.
Sipas avokates, shkresa për shpalljen e vakancës për kryetar të Bashkisë së Himarës nuk i është dërguar me firmën e kreut të këshillit të ministrave por me firmën e sekretarit të përgjithshëm që nuk është kompetent për këtë çështje.
Po ashtu avokatja Gjyzari argumentoi se vendimi i KQZ për ndërprerjen e mandatit të Belerit, është i ankimueshëm dhe ai ka të drejtë ta dërgojë në KAS deri në datën 5 gusht sipas ligjit ai ka të drejte 30 ditë.
Ndërsa nga ana e tyre Presidenti i Republikës dhe Avokati i Shtetit kërkojnë mos legjitimimin e palëve në këtë proces. Përfaqësuesja e presidencës theksoi se objekti i padisë është i paqartë pasi kërkohet edhe anti-kushtetutshmëria e dekretit por edhe shfuqizimi i tij.
Dekreti është bazuar në kodin zgjedhor dhe jo në kodin e procedurës administrative. Po ashtu ata pretendojnë se Beleri nuk u shkarkua nga Këshilli i Ministrave por mandati i tij u ndërpre nga KQZ pas dënimit me vendim të formës së prerë. Të njëjtat argumente dha edhe avokatura e shtetit.
Në përfundim ata kërkuan rrëzimin e padisë të bërë nga Beleri. Gjykata Administrative vendosi kalimin e çështjes për gjykim dhe seanca e parë do të zhvillohet në datë 30 Korrik ora 10:30.
Klan News