Më 4 Gusht do të zhvillohen zgjedhjet për kryetar Bashkie në bashkinë e Himarës. Mjaftuan pak orë nga vendimi i KQZ për shpalljen të pavlefshëm të mandatit të Fredi Belerit, që Kreu i Shtetit të caktonte të dielën e parë të muajit Gusht si ditën kur himariotët do i drejtohen për herë të dytë në harkun kohor të më shumë se një viti kutive të votimit.

Dekretimi i datës 4 gusht nga Begaj erdhi pas letrës së Kryeministrisë që i kërkonte caktimin e datës së zgjedhjeve në Himarë dhe pas takimit që ai zhvilloi në presidencë me kryekomisionerin Ilirjan Celibashi. Ky i fundit paraditen e së premtes shpalli të pavlefshëm mandatin e kryebashkiakut për shkak se është i dënuar me burg për blerje të votave dhe se në këtë mënyrë është subjekt i ligjit të dekriminalizimit.

Vendimi për heqjen e mandatit të kryebashkiakut u dha në prani të Fredi Belerit, i cili ndonëse nuk arriti të merrte lejen për t’u betuar si i zgjedhuri në krye të Himarës, ia doli të merrte pjesë në mbledhjen e KQZ qëi hoqi përfundimisht mandatin e kryebashkiakut.

Me forcat e policisë që qëndronin pas tij, Fredi Beleri shfrytëzoi më pak se 5 minuta për të sqaruar pozicionin e tij. Sipas Fredi Belerit, këtë çështje mund ta zgjidhë vetëm Kushtetuesja, pasi sipas tij, një pjesë e bashkisë rrezikon burgun.

Aktualisht Bashkia e Himarës drejtohet nga socialistët me kryetarin e komanduar Arqile Bollano, i cilipak javë më parë zvënedësoi në këtë detyrë Blerina Balën.

Klan News