Ish-Kryeministri: Basha lufton me mullinjtë e erës, nuk ka bërë asgjë kundër qeverisë

Ish-kryeministri Sali Berisha akuzon qeverinë “Rama” se ka braktisur qytetarët dhe se nuk ka bërë asgjë për të mbrojtur qytetarët e Shkodrës nga përmbytjet. I shoqëruar nga kandidati i koalicionit “Shtëpia e Lirisë”, Bardh Spahia Berisha bëri dhe një premtim para banorëve të Dajçit.

“Më thoni çfarë ka bërë Edi Rama për digat kundër përmbytjes. Asnjë gjë. Ne investuam në argjinatura. Përmbytja e fundit, KESH nuk kishte në konton e tij bankare pothuaj asgjë. Ato janë borxhe dhe ju jap fjalën që do paguhen qindarkë më qindarkë sapo PD të jetë në pushtet”.

Ish-kryeministri akuzoi kryeministrin Edi Rama se po dëmton fermerët, ndërsa sulmoi nismën Ballkani i hapur.

“Është lidhur me Ballkanin e Hapur në mënyrë që të vërshojnë prodhimet bujqësore të Serbisë në Shqipëri”.

Për veprimet e qeverisë në 8 vite, ish-kryeministri bëri përgjegjës kryedemokratin Lulzim Basha.

“Asnjë votë të mos japin për “Lul Bravën”, për opozitën false. Njeriu i cili është 100% peng i dosjeve të tij. Njeriu i cili si një Don Kishot me mullinjtë e erës kap karrigen. Është arrë me vrimë që as nuk hahet e as nuk mbin”.

Lideri historik i PD tha se qeveria po i lë fermerët pa dokumentet e pronësisë, në mënyrë që të tokën e tyre ta kontrollojë shteti.

Klan News