Lajme Arkiva 2003

Aktivi i jashtëzakonshëm i demokratëve të Tiranës është kthyer në një miting. Partia Demokratike dhe kreu i saj Sali Berisha kanë vendosur më në fund ti rikthehen protestave, motivi rrëzimi i asaj që quhet trojka e padrinove e drejtuar nga kryeministri Fatos Nano.

Sali Berisha: Kjo trojkë e padrinove është në darë. Nga një anë është shtypi dhe opozita. Së shpejti janë protestat të cilat janë të domosdoshme, të qeta paqësore, demokratike të domosdoshme. Nuk mund të duroni ju më të jeni qytetarët më të vjedhur te globit, më të poshtëruar, nuk  mund ta pranojmë më këtë. Nuk mund t’ju poshtëroj ju një njeri që ka hedhur të atin në gjyq me akuzat më monstruoze të mendjes njerëzore. Nuk mund t’ju poshtëroj ju më tutje një njeri që i vë çelësat bashkisë sikur të ishte shpella e Corleones dhe jo bashkia e të kuqve të Tiranës.

Duke mos e ndarë për asnjë çast çiftin Nano-Rama, lideri i opozitës i ka akuzuar ata si shkatërruesit e ekonomisë së vendit dhe thellimi i varfërisë shqiptare. Kjo për Berishën është një arsye e fortë për të ftuar të gjithë shqiptarët në protesta.

Sali Berisha: Tani unë dua ti them zotit Nano se me këtë akt që ke bërë ke treguar se nuk je i denjë as për gardian burgu se ke mbetur një nënpunës i mjerë i institutit nga i cili ke dalë se regjimi  yt është regjimi i padrinove. Edvini ndodhej në zyrën e tij luksoze. Do të më falni, por në këtë moment më është rikujtuar një shprehje që thoshte se “ai ngjiste si një hale në një copë mëndafshi”. Lëvizja qytetare kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit do tu jap përgjigjen më të shkëlqyer të këtij kanceri që po rrënon çdo ditë e më shumë shoqërinë shqiptare .

Në aktiv nuk u saktësua ndonjë datë për fillimin e protestave, por sipas burimeve në selinë blu ato pritet të jenë të shpejta sapo të përfundoj organizimi i strukturave të Tiranës dhe disa qyteteve më të mëdha të vendit./tvklan.al