Shtresa e veçantë, mendohet të jetë një sferë e ngurtë metalike me diametër rreth 650 km

Brenda berthamës së Tokës ka një tjetër berthamë. Ky është konfirmimi i fundit i hedhur nga shkencëtarët pas studimeve të kyera duke analizuar kryesisht lëkundjet sizmike me magnitudë mbi 6 të shkallës Rihter, në 10 vitet e fundit.

Duke matur pikërisht shpejtësitë e ndryshme me të cilat valët sizmike penetrojnë dhe kalojnë në brendësi të planetit tonë, në bërthamë ekspertët gjeologë shpjegojnë se kanë dokumentuar praninë e një shtrese tjetër të veçantë brenda bërthamës së Tokës, që mendohet të jetë një sferë e ngurtë metalike, me diametër rreth 650 km.

Deri më sot, struktura e planetit Tokë mendohej të ishte e përbërë nga 4 shtresa të veçanta që janë korja me trashësi nga 5-70 km, manteli që arrin deri në 2890 km, bërthama e jashtme në gjendje të lëngshme dhe që arrin në 5150 km dhe bërthama e ngurtë që ndodhet në qendër të Tokës në thellësi 6360 km.

Por sipas punës kërkimore të fundit, të publikuar në revistën shkencore “Nature Communication” konfirmohet një tjetër shtresë, një element i pestë. Kjo bërthamë brenda bërthamës ishte hipotizuar edhe 20 vite më parë, por nuk ka patur prova, ndërsa tani provat e konfirmojnë, shpjegojnë ekspertët.

Klan News