Rubrika e shumëpritur “Black Box” për amvisat dhe për të gjithë ata që kanë pasion gatimin, nisi sot me prezantimin e dy shefave, pjesëmarrës në garë, Ilir Hysa dhe shef Arti Sejdini. Të dy shumë të vlerësuar në fushën e tyre dhe që kanë eksperienca në restorantet dhe hotelet më prestigjioze në vend.

Pjatat e tyre u vlerësuan nga juria e përbërë nga një prej shefave italianë më të famshëm të kulinarisë botërore, gjyqtar ndërkombëtar dhe instruktor i gjyqtarëve të garave të gatimit në botë, Domenico Maggi, si edhe dietologia Blerina Bombaj Troci.

Përbërësi bazë në “Black Box” ishte kontrafiletoja e viçit. Rregullat e konkurrimit u shpjeguan edhe një herë nga anëtari i jurisë, Domenico Maggi, sipas të cilave secili prej shefave mund të zgjedhë vetëm pesë përbërës të rëndësishëm. Secilit prej konkurentëve iu dha vetëm tre minuta në dispozicion për të zgjedhur një recetë për të prezantuar pjatën e tyre.

 

Shef Iliri zgjedh të gatuajë kontrafileto viçi e tiganisur me verë të bardhë, perime të stinës dhe me djathë të bardhë të tharmuar. Ndërsa shef Arti gatuan kontrafileto viçi të aromatizuar me trumzë të freskët, spec i kuq, patëllxhan, brokoli, pomodorini dhe xaferano.

Pasi recetat i dorëzohen jurisë, fillon koha për përgatitjen e pjatave nga shefat të cilët duhet të përfundojnë gjithçka në vetëm 20 minuta. Ata nisin të gatuajnë nën mbikëqyrjen e jurisë, duke pasuruar aftësitë e tyre edhe me këshillat nga profesionistët.

Pjatat e gatuara nga shefat u vlerësuan në katër aspekte, shija, organizimi, aspekti estetik dhe ekuilibri ushqimor.

Për sa i përket organizimit të punë, Maggi vlerësoi shef Artin si më të programuar. Ndërsa tha për shef Ilirin që ka disa mangësi në organizimin e procesit të gatimit.

Në fazën e fundit shefat prezantuan pjatat përpara jurisë.

Domenico Maggi:

Për sa i përket pjatës së shef Artit, ai ka përdorur një teknikë të vendosjes në pjatë duke u rritur vertikalisht. I vetmi aspekt pakëz negativ, është zgjedhja e pjatës, nuk është e përshtatshme. Ndërsa gabimi që të dy shefat kanë bërë është përdorimi i cepave të pjatës për dekorim, pasi supozohet që anët e pjatës janë bërë për që kamerieri të vërë duart kur shërbën vaktin. Kjo përsa i përket pjesës teknike.

Blerina Bombaj Troci: T

ë dyja pjatat të kënaqin syrin dhe pjesën e pritshmërisë së vlerave ushqyese por të dyja pjatave iu mungon një element shumë i rëndësishëm që është elementi i brumit.

Rezultati final i dhënë nga vlerësimet e dy anëtarvë të jurisë shpalli fitues shef Artin me 87 pikë duke lënë pas shef Ilirin me 80 pikë.

/tvklan.al