Sinoptikanët: E enjtja sjell rritjen e temperaturave 

Vendi mbetet nën ndikimin e temperaturave të ulta edhe gjatë ditës së mërkurë.Reshjet e deborës kanë ndaluar në juglindje të Shqipërisë, megjithatë ngricat po krijojnë vështirësi për qarkullimin e automjeteve.

 Në disa segmente si Qafa e Plloçës, Grabovice, Qafë e Qarrit dhe Qafethane lëvizet vetëm me zinxhirë dhe goma dimërore.

Disa fshatra malore në bashkinë e Pogradecit, Korçës dhe Maliqit mbeten të izoluara. Ndersa në bashkinë e Devollit mungon edhe furnizimi me energji elektrike dhe ujë prej 4 ditësh.

Lartësia e dëborës i ka kaluar 2 metrat në zonën e Thethit në veri të vendit, megjithatë rruga mbahet e hapur falë borëpastrueseve. Sipas sinoptikanëve temperaturat do të rriten prej së enjtes, ndërsa fundjava do të rikthejë sërish reshjet e shiut.

Këto temperatura mbeten 2 deri në 3 gradë më të ulëta sesa vlerat tipike të muajit Mars.

Tv Klan