Manastirliu: Deri tani janë rikonstruktuar 300 të tjera

Këtë vit do të rehabilitohen 40 qendra shëndetësore në Shqipëri. Teksa pa nga afër qendrën shëndetësore të Orikumit, ministrja Ogerta Manastirliu tha se tashmë po kalohet në një fazë të re për të siguruar infrastrukturë sëndetësore sipas standardeve europiane.

“Po këtë vit do të jenë më shumë se 40 qendra shëndetësore, të cilat do të rehabilitohen nga veriu në jug. Vijojmë me programin tonë të rehabilitimit të qendrave shëndetësore, pas përfundimit të më shumë se 300 qendrave shëndetësore në këto vite”.

Qendra Shëndetësore Orikum do të ofrojë shërbim shëndetësor për 11 mijë banorët e zonës si dhe për pushuesit.

“Jam shumë e kënaqur që jam sot në këtë qendër, që do të jetë pjesë e këtij projekti. Do të vijojnë shumë shpejt me fillimin e punimeve dhe kthimin e kësaj qendre në një qendër, e cila do të garantojë më shumë shërbime cilësore, edhe më shumë akses për gjithë banorët e Orikumit”.

Qeveria shqiptare ka përfunduar fazën e parë të Programit të Rehabilitimit të Qendrave Shëndetësore dhe Ambulancave me 300 qendra shëndetësore të rehabilituara dhe rindërtuara. Ndërkohë që ky program do të vijojë edhe këtë vit me qendra të tjera shëndetësore.

Tv Klan