Ukraina konfirmoi se po punonte me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA) për të verifikuar se çfarë ka ndodhur në termocentralin bërthamor të Çernobilit gjatë kohës që forcat ruse e kishin atë nën kontroll. “Rusia u soll në mënyrë të papërgjegjshme në Çernobil, që nga moslejimi i personelit të stacionit për të kryer funksionet e tyre, deri te hapja e llogoreve në zonat e kontaminuara”, tha ministri i Jashtëm i Ukrainës, Dmytro Kuleba.

Termocentrali bërthamor i Çernobilit me famë botërore, i vendosur 15 km nga kufiri ukrainas-bjellorusi, u mor nën kontroll nga njësitë e Gardës Kombëtare në mëngjesin e hershëm të 24 Shkurtit, në orët e para të nisjes se operacionit special rus në Ukrainë.

Kompleksi i TEC-it të Çernobilit shtrihet në pothuajse 300 hektarë territor dhe përfshin rreth 340 ndërtesa dhe struktura (përfshirë ato që nuk janë në funksion për shkak të niveleve jonormale të larta të rrezatimit).  Personeli i objektit numëron deri në dy mijë njerëz.

Veprimet e ushtrisë ruse në zonën e termocentralit bërthamor të Çernobilit u justifikuan me nevojën për të ruajtur një regjim të qëndrueshëm operimi për stacionin, i cili në prill 1986 i mbijetoi fatkeqësisë më të madhe në historinë e energjisë bërthamore. Përkundër faktit se termocentrali bërthamor i Çernobilit u mbyll përfundimisht në vitin 2000, ai është ende nën kontrollin e rreptë të Ministrisë së Energjisë së Ukrainës.

Për më shumë se një muaj, rojet ruse, të cilave iu besua mbrojtja e objektit, qëndruan “krah për krah” me punonjësit e termocentralit të Çernobilit.

Niveli i përgjegjësisë së detyrave në fjalë, me sa duket, doli të ishte më i lartë se mosbesimi i ndërsjellë. Në çdo rast, asnjë ekses serioz midis rusëve dhe ukrainasve nuk u raportua nga asnjëra palë e konfliktit.

Klan News