“Ç’model të zgjedhim në jetë?” Kjo është pyetja që në mënyrë instiktive dhe ndoshta e pamenduar shumë, shqetëson çdo adoleshent sot në Shqipëri dhe në botë. Nuk ka asnjë dyshim që modelet kryesore ofrohen nga shtypi dhe mënyra sesi i trajton ai personat publikë. Figurat e femrave këngëtare të superpaguara, të vajzave të spektaklit apo futbollistëve janë modelet e para që ndikojnë rininë.

Në një sondazh të organizuar në shkollat e mesme të Tiranës, 41%  e të anketuarave mendonin se profesioni më i mirë ishte ai i modeles apo këngëtares, ndërsa vetëm 3% mendonin të bëheshin mësuese. Po i njëjti sondazh përcaktonte se 63% e djemve donin të bëheshin futbollistë.

Por cilat janë modelet që mediat ofrojnë sot dhe si kanë evoluuar ato?

Në Shqipërinë komuniste modelet që ofroheshin për t’i imituar ishin gjithmonë modele të gjysmuara ose njerëz që nuk jetonin më. Modelet që shoqëria ofronte ishin Din Hyka, një djalë me këmbët e prera nga një aksident treni, Shkurte Pal Vata që vdiq në aksion, Fuat Çela që kishte humbur shikimin dhe punonte për kooperativën etj.

Pas viteve ’90 modelet u transformuan. Ata ndryshojnë sipas kohës dhe zhvillimeve, por nuk ka dyshim që pjesa më e madhe e modeleve krijohen nga shtypi dhe ky i fundit duket krejt i fokusuar te këngëtarët, modelet, femrat e spektaklit ose si të thuashte një model që duket më i thjeshtë dhe pa impenjime.

Duket se kjo po shndërrohet në një tendencë botërore. Në vitet ’60 modelet më të famshme të botës ishin kryesisht artistë të famshëm që krahas kësaj kishin edhe një dimension bukurie dhe një jetë të hapur si Sophia Loren, Marilyn Monroe etj. Sot modeli që mediat ofrojnë më së shumti është Paris Hilton, e cila është protagoniste e faqeve të para pa asnjë profesion dhe produkt në jetë.

Por a mund të jetë ky modeli më i mirë që mund t’i ofrohet sot një adoleshenti apo adoleshenteje që hyn në jetë? A është shtypi përgjegjës për krijimin e modeleve të lehta dhe të gënjeshtërta, që nuk duket se edukojnë vlera reale?

Për të diskutuar për këtë çështje në studion e emisionit “Opinion” ishin të ftuar gazetarja Iris Luarasi, drejtorja e një reviste Dalina Buzi, këngëtarja Çiljeta Xhilaga, shkrimtari Fatos Lubonja, politikani Preç Zogaj dhe psikologu e politikani Luan Hajdaraga./tvklan.al