Covid, Shqipëria më keq se Kosova e Maqedonia e Veriut


Covid, Shqipëria më keq se Kosova e Maqedonia e Veriut

15:46 19/09/2020

Qytetarë pa maska në rrugë e ambiente të mbyllura

Maskat do të na shoqërojnë edhe për shumë gjatë, thonë ekspertët, si mjeti më efikas deri tani për të parandaluar përhapjen e koronavirusit. Por në Shqipëri, t’i bindësh qytetarët që ta mbajnë, është sfidë më vete.

Jo vetëm në rruge, ku ende mbajtja e maskës është fakultative, por edhe në ambientet e detyrueshme, urbane, markete e ambiente të tjera, ka më shumë njerëz pa maska sesa nga ato që e kanë atë.

Të rinjtë janë ata që neglizhojnë më shumë përdorimin e maskës dhe distancës. Të vetmit që e mbajnë maskë kudo, janë mosha e tretë.

“E mbaj sepse duhet të mbroj veten. Zoti thotë mbroj të të mbroj”

“E mbaj kudo, në dyqan, në supermarket dhe në rrugë se ka njerëz”.

Po ashtu edhe të huajt janë më të ndërgjegjësuar për dobishmërinë e maskës.

“Është papërgjegjshmëri të mos vendosësh maskën në rrugë, kur është një krizë kaq e madhe në të gjithë botën. Është e detyrueshme”.

Në Maqedoninë e Veriut, mbajtja e maskës është e detyrueshme dhe policia aplikon gjoba. Por gjithashtu edhe qytetarët janë më të përgjegjshëm.

“Ta  mbrojmë veten dhe të tjerët rreth nesh”.

 “E mbaj maskën për tu mbrojtur nga virusi. Qëkur ka filluar pandemia vetëm me maskë shkoj në punë. Pandërprerë mbaj maskën. Shumica shëtisin pa maska”.

“Unë i takoj kategorisë së qytetarëve që vazhdimisht mbajnë maska”.

“Çdokush duhet të mbajë maskën. E shihni çdo ditë ka mbi 100 të prekur, ka edhe viktima. Nëse dikush ka ndërgjegje duhet t`i zbatojë rekomandimet”.

Edhe Kosova e ka të detyrueshme. Mbajtja e saj ka ndikuar në uljen e numrit të të prekurve.

Nga mesatarisht 200 të infektuar në ditë, Kosova ka rreth 50 raste dhe 2003 të infektuar aktive në total. Maqedonia e Veriut ka rreth 140 raste dhe 2002 të prekur aktivë. Ndërsa Shqipëria ka rreth 130 raste në ditë dhe 4889 të prekur aktivë në total.

Siç tregon edhe tabela, Shqipëria bën dallim me të dy vendet fqinje, ndërsa autoritetet janë mjaftuar deri tani vetëm me këshillime e rekomandime. Por aq shqetësuese po bëhet mosmbajtja e maskës, saqë në internet kanë shpërthyer edhe ironi të tilla, si kjo në këtë foto.

Tv Klan



Të ngjashme