Pavarësisht viteve, Cristiano Ronaldo vazhdon që të befasojë me golat e tij. Në ndeshjen miqësore kundër Irlandës, të fundit përpara nisjes së kampionatit europian, ai realizoi dopietë.

Ylli i Al-Nassr ka qenë në qendër të debateve në Portugali, pasi të shumtë ishin ata që u shprehën kundër thirrjes së tij për shkak të moshës 39 vjeçare. E prapë, Cristiano Ronaldo u përgjigj me gola, duke treguar se ai vazhdon që të jetë i dobishëm për luzitanët.

Rezultati u zhbllokua në minutën e 18 nga lojtari i Barcelonës Zhoao Feliks. Pesë minuta nga nisja e pjesës së dytë Cristiano Ronaldo realizoi rrjetën e dytë. Në të 60, ai e çoi rezultatin në 3-0.

Ylli portugez shkon në 131 gola të shënuar me kombëtaren dhe në total në 896 rrjeta në karrierën e tij.

Sfida e parë e luzitanëve në Gjermani 2024 do të jetë kundër Çekisë më 18 qershor. Para nisjes së sfidës, Cristiano Ronaldo u filmua duke ndihmuar një fëmijë me aftësi të kufizuara që të futej në fushë.

Klan News