Deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes policia ka arrestuar djalin dhe kunatin e 50 – vjeçarit Artur Kurti, që mbeti i vrarë mbrëmjen e së hënës në Tiranë.

Sipas policisë, të dy shtetasit, Jurgen Kurti, 23 – vjeç dhe Leonard Ristani, 43 – vjeç kanë pohuar se kanë reaguar në kushtet e vetëmbrojtjes, për shkak të sulmit frontal të Artur Kurtit me thikën me të cilën mbeti i vrarë.

Leonard Ristani është shprehur se prej disa ditësh po qëndronte tek shtëpia e motrës, pasi herë pas herë, 50 – vjeçari, që ishte në proces divorci me Shpresën, paraqitej duke trokitur tek dera, për shkak se kishte pretendime për pronësinë e apartamentit.

Sipas Leonardit, mbrëmjen e së hënës, rreth orës 21 kanë dëgjuar të trokitura të forta në derë dhe të bërtitura. Në momentin që ai ka hapur derën është përballur me një sulm frontal me thikë nga Artur Kurti, i cili i ka shkaktuar dhe dëmtime të lehta në trup.

Në këto moment, për t’i hequr thikën nga dora ka ndërhyrë dhe djali i viktimës Jurgeni, në përleshje e sipër, në rrethana ende të paqarta, se nga kush është qëlluar disa herë me thikë agresori.

23 – vjeçari shprehet konfuz se kush e ka kryer vrasjen, duke mos mohuar përgjegjësinë e tij, i njëjti deklarim është dhënë dhe nga daja, Leonard Ristani.

Ky pohim ka detyruar policinë, me urdhër të Prokurorit, që deri në sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes, përgjigjes që pritet të vijë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore dhe Policia Shkencore, t’i arrestojë të dy, dajë dhe nip.

Nga ana tjetër, të dy kanë deklaruar se nuk kanë patuar në asnjë moment qëllim ta vrisnin, por thjesht ta neutralizonin, pasi me thikën në dorë, Artur Kurti iu ka rrezikuar seriozisht jetën.

Akuza paraprake që është ngritur ndaj Jurgen Kurti dhe Leonard Kurtit është ajo e vrasjes së kryer me kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme, parashikuar nga neni 83 i Kodit Penal, që dënohet me burgim gjerë në 7 vjet.

Në rast se vërtetohet që vrasja është bërë në kushtet e vetëmbrojtjes së nevojshme, atëherë ndaj dy personave nuk vepron asnjë dënim penal.

Tv Klan