Shtyhet seanca gjyqësore për Dan Hutrën. Shkak i kësaj shtyerje mësohet të jetë mosformimi i trupit gjykues pasi njëra nga anëtaret e trupit gjykues është e sëmurë, raporton gazetarja e Klan News, Glidona Daci. 

Siç duket edhe në videon gjatë seancës, Dan Hutra ka debatuar me gazetarët. “Nuk kam dëshmuar as nuk e kam në mend të dëshmoj në SPAK. Do zbërthehen të gjitha çfarë keni thënë, gënjeshtra e të vërteta. Do vijë edhe momenti juaj mos u mërzisni”, është shprehur Hutra ndaj gazetarëve.

Sipas asaj që raporton gazetarja, Dan Hutra nuk është dakort me avokatin e caktuar kryesisht nga Gjykata ku pretendon se ka një avokat, por që nuk do e përfaqësoj në gjyq. Ndërkohë seanca e radhës do të jetë të enjten tjetër në orën 12:30.

Kujtojmë se Dan Hutra është autori i vrasjes së 3 grave dhe plagosjes së 3 të tjerave më 1 Mars të 2023 në Tiranë. Edhe përpara masakrës së 1 Marsit, 40-vjeçari Hutra nuk ishte një emër i panjohur për policinë ku mes viktimave ishte dhe ish-bashkëjetuesja e tij, pasi ai ishte dënuar për një ngjarje të vitit 2007.

Konkretisht të vrasjes së bashkëshortes së tij, ngjarje kjo e ndodhur në qytetin e Kukësit. Për të gjitha këto ngjarje vetë Hutra nuk ka shfaqur pendesë, madje ka deklaruar se i ka bërë me vetëdije./tvklan.al