Drejtoria e Burgjeve: U kap në flagrancë, bashkëpunoi edhe me 3 të burgosur të tjerë

Këto janë pamjet e hekurave të prera të qelisë së burgut të Fierit që i tradhëtuan 4 të burgosurit e rrezikshëm që kishin planifikuar arratisjen. Punonjësit e sigurisë së këtij burgu kanë parandaluar arratisjen e Dan Hutrës, një të dënuari shumë të rrezikshëm, si dhe tre të dënuarve të tjerë.

Sipas njoftimit zyrtar të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ai dhe bashkëpunëtorët e tij janë kapur në flagrancë këtë të enjte rreth orës 11:25.

Plani për arratisjen nga burgu ishte i koordinuar nga Hutra në bashkëpunim me tre të paraburgosur të tjerë, Martin Kapllani, Geraldo Veizaj dhe Feti Kovaçi, të tre me origjinë nga Vlora.

Në dhomën ku ishin të akomoduar, të paraburgosurit kishin nisur prerjen e zgarës së dritares me mjete të improvizuara. Gjatë kontrollit nga punonjësit e sigurisë, u konstatua se edhe në dhomën nr. 15, ku ishte i akomoduar Dan Hutra, ishin fshehur mjete për arratisje, konkretisht:  një çarçaf i përshtatur si litar dhe mjete prerëse të improvizuara.

Të dhënat paraprake tregojnë për bashkëpunim ndërmjet katër të burgosurve,  për thyerje të sigurisë dhe tentative arratisje.  Dan Hutra, është në pritje të gjykimit për masakrën e marsit 2023 ku brenda pak orëve ka plagosur me armë zjarri ish bashkejetuesen e tij Elena Hysa, 35 vjeçe, dhe nenen e saj Kujtime Hysa, 60 vjeçe dhe ka vrarë me armë zjarri Mevlute Hysën 30 vjeçe, (motra e ish-bashkëjetueses së tij) dhe Hasime Dafku 30 vjeçe, (e fejuara e vëllait të ish-bashkëjetueses).

Pas kësaj ngjarjeje të ndodhur në Kodër Kamëz, autori lëvizi në rrugën “Besëlidhja”, Bathore ku ka ndaluar te banesa e familjes Kurti, ku ka vrarë me armë zjarri shtetasen Etleva Kurti, 31 vjeçe. Në vitin 2007, Dan Hutra ishte dënuar pasi ka vrarë me armë ish-gruan Dafina Havalja, të cilën e goditi dy herë me thikë në zemër e mëlçi.

Ndërsa tre vlonjatët Martin Kapllani, Geraldo Veizaj dhe Feti Kovaçi, ndodhen në burg me akuzën e vjedhjes.

Klan News