Një qytetar telefonoi në emisionin e “Shije Shtëpie” në Tv Klan ku tregoi rastin e tij personal për sa i përket temës së divorceve.

 Qytetari shprehet se ka katër vite që është ndarë nga bashkëshortja e tij dhe si fryt i martesës së tyre ata kishin tre fëmijë. Me vendim gjykate fëmijët ishin në kujdestarinë e tij, por sipas tij ish-bashkëshortja e tij nuk paguan detyrimin ushqimor.

Qytetari: Jam divorcuar para katër vjetësh me gruan. Kam tre fëmijë të vegjël. Gjykata e Shkallës së Parë mi la mua të tre fëmijët, por u hodh në Apel nga pala tjetër. Apeli përsëri mi la mua të tre fëmijët. Tani nuk marr asnjë lloj ndihme për këta fëmijë, as e ëma që duhet t’u japë diçka këtyre fëmijëve sipas ligjit. Tani si mund të veproj?

Drita Avdyli: Atëherë tek vendimi i gjykatës, nëna e fëmijëve ka detyrimin ushqimor?

Qytetari: Po e ka 30 mijë lekë të vjetra.

Drita Avdyli: Nuk e dorëzon çdo muaj?

Qytetari: Jo, jo fare!

Drita Avdyli: Atëherë ju lutem ejani tek zyra e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve që të ndërmjetësojmë këtë rast sepse në fakt kjo është një vepër penale.

Katerina Trungu: A është një vepër penale?

Drita Avdyli: Po sepse ajo vetëm që nuk kontribuon për fëmijët e saj, nuk zbaton asnjë vendim gjykate. Po ju lutem ejani tek Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve që ne të ndërmjetësojmë midis jush dhe ish-bashkëshortes suaj për kontributin ushqimor, të cilin ajo duhet ta japë që nga dita e daljes së vendimit të gjykatës. A është në marrëdhënie pune zonja?

Qytetari: Ajo nuk dihet se ku është.

Katerina Trungu: Nuk keni kontakt fare?

Qytetari: Jo, jo fare, as ne dhe as institucionet nuk kanë kontakt./tvklan.al