Një goditje ndaj impianteve bërthamore në Iran mund të jetë një ndër skenarët e rradhës  të Izraelit.

Sipas “The Israel Times”, Netanjahu ka kërcënuar prej kohësh me hedhjen e këtij hapi. Kjo pasi irani ka disa impiante bërthamore, funksioni kryesor i të cilave është prodhimi i energjisë elektrike. Tel Avivi dhe aleatët perëndimorë kanë akuzuar shpesh Republikën Islamike se i shfrytëzon këto impiante për prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë.

Presidenti amerikan Joe Biden në një deklaratë u shpreh se kundërshton që Izraeli të godasë objektet bërthamore të Iranit si hakmarrje për sulmin me raketa balistike të Iranit. Ai paralajmëroi se do të vendoseshin sanksione kundër Iranit duke e diskutuar këtë edhe me krerët e vendeve të G7.

Deri më tani qeveria izraelite ka deklaruar se për çdo formë e kundërpërgjigjes do të këshillohet me Shtetet e Bashkuara dhe aleatët. Ndërkaq ushtria izraelite u bëri thirrje banorëve të mbi 20 qyteteve në jug të Libanit që të evakuohen nga shtëpitë e tyre.

Paralajmërimet për evakuim erdhën pasi Izraeli bombardoi Bejrutin qendror në një sulm që ministria libaneze e Shëndetësisë tha se vrau nëntë njerëz dhe plagosën 14 të tjerë.

Nga Këshilli i Sigurimit, Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres dënoi sulmin me raketa të Iranit ndaj Izraelit, duke thënë se duhet te ndalen sulmet vdekjeprurese.

Klan News