Shehaj: Ku i gjetët milionat? Xhaçka: Shkoni në SPAK

Në mungesë të kryeministrit, interpelancës së thirrur nga deputeti demokrat Agron Shehaj, iu përgjigj Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali.

Spiropali: Ça t’i bëj, taksirati im që duhet të zëvendësoj kryeministrin.

Deputeti Agron Shehaj s’u kursye në akuza ndaj Ministres së Jashtme Olta Xhaçka, se në shkelje të kushtetutës bashkëshorti i saj ka përfituar statusin e investitorit strategjik, duke përfituar prone shtetërore në bregdetin e jugut, çka solli në përplasje me Spiropalin, në mungesë të Xhaçkës.

“Nuk i takon ministres në bazë të Kushtetutës, ka vjedhur dhe e ka bërë me mashtrim që shiten si investitorë amerikanë ndërkohë që është kunata e saj. Nga Kushtetuta s’keni frikë, nga SPAK-u jo e jo, por turp nuk keni që vidhni një nga vendet më të varfra në Europë”, tha deputeti i PD Agron Shehaj.

“Nëse bashkëshorti i ministres do na hidhte në gjyq do e fitonte. Kemi të bëjmë me një tokë private pa asnjë përfitim nga prona shtetërore pa asnjë cënim”, u shpreh ministrja Spiropali.

“Nuk e bëj unë personale, po ministrja se ka vjedhur hapur. Kryeministri turpin ua la juve, të thoshte pse firmosi një VKM për anëtaren e kabinetit”, tha deputeti Shehaj.

Me ardhjen në sallë, ministrja Xhaçka tha se opozita po abuzon dhe se akuzat nuk qëndrojnë. Çka prodhoi sërish replika.

“Më akuzoni pse burri në pronën e vetë tërësisht private, në investimin e tij tërësisht privat pa asnjë përfitim nga publikja por me të drejtën për të vënë shezlona në breg të detit. Nuk ka marrë as infrastrukturë rrugore, as TVSH. Mos abuzoni me informacionet sepse është e turpshme”, deklaroi ministrja Xhaçka.

“Keni pafytyrësinë të vini këtu e të thoni çojeni në SPAK. Vini këtu me xhepat bosh dhe dilni me resorte me 5 yje dhe thua pa gjë të keqe do të investoj miliona. Ku i gjetët milionat? Për transparencë dil këtu e thoni ku i gjetët milionat”, replikoi Agron Shehaj.

“Ta çoni çështjen në Gjykatë Kushtetuese por fillimisht të informoheni mbi interpretimin e nenit të famshëm mbi konfliktin e interesit dhe gjithçka tjetër. Do tju lutesha të mos vini këtu për të lançuar njerëz nga fusha e të cilit jeni vetë”, u kundërpërgjigj ministrja Xhaçka.

Kjo interpelancë e thirrur me demokratët vjen në një kohë kur opozita ka kërkuar ngritjen e një komisioni parlamentar për investimet strategjike dhe ka paralajmëruar dërgimin në gjykatë të mandatit të ministres Xhaçka, të cilën e akuzon se përmes një VKM-je, qeveria i ka dhënë partneres amerikane të vëllait të saj një plazh në Dhërmi, për përdorim për 30 vjet.

Tv Klan