Mazhoranca vlerëson të gjithë debatin që po zhvillohet mes faktorëve politik mbi ligjin e lustracionit. Kryeparlamentarja Jozefina Topalli, e cilësoi këtë një nga debatet më të rëndësishëm që i referohet vullnetit të shoqërisë shqiptare për t’u shkëputur nga e shkuara.

Jozefina Topalli: “Fakti që vëmendja është tek një ligj i veçantë që lidhet me një kufizim të një periudhe të shkurtër të disa personave që kanë vra në kundërshtim me ligjet e të drejtave të njeriut, është një gjë që mu më bën të mendoj absolutisht anën pozitive të ecjes dhe të ndryshimit të Shqipërisë, agjenda parlamentare, është agjendë parlamentare. Mesa di unë nga parlamenti është përgatitur edhe një letër që do vehet në dijeni për një fakt shumë të rëndësishëm që ne të respektojmë një princip shumë të madh që respektojnë të gjithë gjykatat e botës principin e konfliktit të interesit, ai i gjykatës që është në konflikt interesi nuk mund të marrin pjesë në gjykim, ne jemi një shtet ligjor, ne respektojmë rregullat e shtetit ligjor”.

Në letrën drejtuar Gjykatës Kushtetuese, thuhet se Kuvendi në respekt të plotë të këtij autoriteti, mendon se çdo gjykim i ligjit që nuk e respekton principin e shmangies së konfliktit të interesit, dëmton rëndë parimin themelor të etikës së gjyqtarëve mbi konfliktin e interesit të përcaktuar në ligjin e Gjykatës Kushtetuese dhe në rezolutën mbi etikën gjyqësore të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, të miratuar në 23 qershor të vitit 2008.

Letra citon pikërisht rezolutën që thotë se gjyqtarët duhet të ushtrojnë funksionet e tyre në mënyrë të paanshme dhe të sigurojnë që kjo paanësi të jetë e dukshme. Ata duhet të kujdesen për të evituar konfliktin e interesit ashtu si dhe situatat nga të cilat mund të lindin në mënyrë të arsyeshme konflikt interesi.

Letra përfundon duke theksuar se kuvendi nuk është kundër gjykimit nga Gjykata Kushtetuese, por situata që mesa duket ndodhet Gjykata Kushtetuese kërkon të gjej mënyrën që të gjykoj jashtë konfliktit të interesit, të gjej instrumentat për sa kohë të dhënat e bëra publike lënë të kuptojnë së ka anëtarë të gjykatës në konflikt të hapur të interesit./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi

Operator: Klodian Keçi