Capture“I armatosur deri në dhëmbë”.  Kështu e kanë përshkruar mediat amerikane 28-vjeçarin Sajed Faruk, duke iu referuar arsenalit të armëve që u gjet në shtëpinë ku qëndronte ai dhe e shoqja.

Policia e Kalifornisë zbuloi në banesën pranë qytetit Redlands, 4500 municione për armë të kalibrit 9mm dhe 233, 12 bomba artizanale me tuba dhe shumë elementë që ndihmojnë në prodhimin e mjeteve shpërthyese.

Ndërsa pas ekzekutimit të tyre nga policia, dy autorëve iu gjetën dy pushkë, dy pistoleta dhe 1600 municione, të cilat ishin blerë me leje. Sipas policisë, 28- vjeçari, Sajed Faruk dhe e shoqja 27- vjeçare, Tashfin Malik ishin të përgatitur për krimin që do të kryenin në qendrën e shërbimeve sociale në San Bernardino, ku mbetën të vrarë 14 persona dhe u plagosën 21 të tjerë.

Një nga policët e ka përshkruar skenën në qendrën e shërbimeve sociale si “një kasaphanë të frikshme”. Autoritetet publikuan emrat e personave të vrarë, nga mosha 26-60 vjeç, kryesisht meshkuj nga Kalifornia Jugore.  Bashkëpunëtorët e Sajed Faruk i thanë gazetës “Los Anxheles Times” se atij nuk i rrezikohej vendi i punës.

Dy prej kolegeve e përshkruan si  “person të qetë dhe të edukuar”. Motivi i sulmit nuk është zbuluar ende, por Presidenti amerikan, Barak Obama nuk përjashtoi pistën e terrorizmit.

Tv Klan