Telefoni Dorian Kalos i arrestuar në Yzberisht zbuloi armët e tjera

Të dhënat në telefonin e një prej të arrestuarve në depon e armëve të gjetur në Yzberisht, zbuluan edhe atë në garazhin e një pallati pranë Liqenit të Thatë, ku u arrestua 27-vjeçari Eno Papa Beqiri.

Gjykata e Tiranës e la këtë të enjte në burg pa afat 27-vjeçarin si personin që i kishte në posedim dhe kujdes armët e zjarrit, teksa më herët në burg pa afat janë lënë edhe Ervis Bakalli e Dorian Kalo, të arrestuar për një tjetër depo armësh të gjetur në një banesë në Yzberisht.

Kanë qenë të dhënat në telefonin e Kalos që çuan hetuesit edhe të garazhi te Liqeni i Thatë i marrë me qira nga 27-vjeçari duke zbuluar shtrirjen e aktivitetit kriminal të posedimit dhe modifikimit të armëve.

Vetë Beqiri para gjykatës tha se ai nuk e ka përdorur garazhin dhe se nuk ka pasur dijeni për armët, ndërkohë avokati i tij i kërkoi prokurorisë që nëpërmjet kamerave të sigurisë dhe kryerjes së ekspertimeve për gjurmët e gishtave të vërtetojë se klienti tij nuk ka lidhje me depon.

Në një dalje publike Policia e Tiranës pranoi se pjesët modifikuese të armëve janë futur ilegalisht nga jashtë në Shqipëri dhe armët bliheshin nga persona me precedentë kriminal për vrasje dhe ngjarje të tjera.

Ndërkohë grupi hetimor ka dyshime për bashkëpunëtor të tjerë, për të cilët vijojnë hetimet.

Tv Klan