Sportistë të të gjitha moshave morën pjesë në aktivitet duke i dhënë qytetit një atmosferë festive

Lezha organizoi një aktivitet me rastin e Ditës Ndërkombëtare Olimpike.

Të pranishëm ishin sportistë të të gjitha moshave, të cilët u bënë pjesë e lojërave të ndryshme, duke i dhënë qytetit verior një atmosferë festive.

Përfaqësuesi i Komitetit Olimpik Shqiptar, Fidel Ylli inkurajoi të rinjtë për sa më shumë aktivitete fizike. Sipas tij Lezha është “kryeqyteti” i Shqipërisë për sportin.

“Në gjithë kryeqytetet e botës bëhet një festë si kjo. Por ne zgjodhëm Lezhën sepse miku im, kryetari i bashkisë e do sportin, ka ndryshuar situatën në sport. Lezha është kryeqyteti i Shqipërisë sa i përket sportit”.

Kreu i Bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu, tha se “Dita Olimpike”, po kthehet në traditë, ndërsa pushteti lokal do të jetë përkrah aktiviteteve sportive, pasi prej vitesh ishte lënë në harresë.

“Lezha tashmë ka filluar të kultivojë realisht që te moshat e vogla sportin. Ne si bashki jemi munduar të bëjmë maksimumin duke financuar për herë të parë prej 3 vjetësh gjithë klubet, trajnerët, sportistët e elitës të shumë sporteve të lëna në harresë prej vitesh fatkeqësisht. Sot jam shumë më optimist sepse shoh që Lezha ka të ardhme “.

Dita Ndërkombëtare Olimpike në Lezhë zgjati për disa orë, ndërsa larmia e aktiviteteve sportive tërhoqi vemendjen e shumë qytetarëve, të cilët kishin mbushur sheshin “Gjergj Kastrioti”.

Klan News