Djathi “Mishavin” nga Alpet e Kelmendit rrëmben çmimin e tretë

Djathi Mishavin nga Alpet e Kelmendit merr çmim mes djathrave jo industrialë italianë, francezë dhe indianë.

Edicioni i 13 -të i Djathit Artizanal u zhvillua në Bra të Italisë. Mes 6 fituesve, vendin e tretë e ka fituar Valter Dragu, prodhuesi i djathit Mishavin në Shqipëri.

Këto çmime jepen për të ndihmuar  barinjtë dhe prodhuesit e djathit artizanal, të cilët refuzojnë shkurtesat e ofruara nga teknologjia moderne dhe punojnë me respekt për natyralitetin, traditën dhe mirëqenien e kafshëve.

Valter Dragu është  prodhuesi  i markës së djathit “Mishavin”, një bari i cili ka zgjedhur të jetojë në male dhe të vazhdojë të bëjë djathin në mënyrën tradicionale. Së bashku me gruan e tij Melinda Pepushaj ata kanë vendosur të qëndrojnë në një nga rajonet më të largëta dhe të padepërtueshme të Europës, duke dhënë shembull për shumë të rinj të tjerë. Mediat italiane i kanë dhënë një vëmendje të veçantë mënyrës së prodhimit të këtij lloj djathi, e cila është edhe një traditë e vendit tonë që rrezikon të zhduket.

Djathi “Mishavin” prodhohet ekskluzivisht në muajt e verës. Kopetë kullosin lirshëm në male pranë dy fshatrave të vegjël në rajonin e Kelmendit, afër kufirit me Malin e Zi. I përket familjes së lashtë të djathrave të thesit dhe është rezultat i një teknike shumë të veçantë: gjiza pritet në copa, lihet të pushojë për dhjetë ditë dhe më pas shkërmoqet me dorë dhe vendoset në enë druri. Ky djathë i lashtë ka mbijetuar falë Valter Dragu i cili e ka kthyer atë në një burim krenarie për të gjithë rajonin, trashëgimi nga prindërit e tij Lucie dhe Tom.

Ndryshe nga pjesa tjetër e familjes, të cilët emigruan në Shtetet e Bashkuara, ata vendosën të qëndrojnë në Shqipëri dhe të punojnë për t’i dhënë tokës së tyre një të ardhme.

Klan News