Dosier për Diversantët e Shqipërisë (31 Dhjetor 2007)

Dosier për Diversantët e Shqipërisë (31 Dhjetor 2007)

Autori: Blendi Fevziu

23:10 31/12/2007

Opinion -Një prej mistereve më të mëdha të Luftës së Ftohtë jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të dy kampeve qëndrore, atij komunist dhe dëmokracive perëndimore, vijon të mbetet i pazbardhur. Në vitin 1949, fillimisht Britania e Madhe dhe më pas SHBA vendosin të destabilizojnë pushtetin në Shqipëri, atë që quhej pushteti popullor në qeverinë e Enver Hoxhës dhe për ta zëvendësuar me një qeveri tjetër.

Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu në puntatën e realizuar më 13.12.2007 trajtoi pikërisht këtë temë.

Tentativa disavjeçare dështoi në vitin 1951 dhe pikërisht në këtë vit u bë publike ajo që kishte ndodhur nga pala shqiptare, por pa u pranuar kurrë nga aleatët anglo-amerikanë. Në vitin 1983 për herë të parë BBC e bëri publike historinë që Britania dhe SHBA kishin tentuar të shembnin me dhunë një regjim që konsideohej legjitim në atë kohë.

Në vitin 2004 Kryeministri i Britanisë së Madhe, Tony Blair publikisht pranoi faktin që Britania e Madhe dhe SHBA kishin kërkuar të destabilizonin pushtetin në Shqipëri. Por përse dështoi ky operacion? Një ndër operacionet më të mëdha dhe më të pajisura të Luftës së Ftohtë. Ky ishte edhe një mister që lidhej edhe me emrin e Kim Filbit, i cili u bë një nga personat kryesorë të operacionit.

Më 5 Prill 1954 në Tiranë u hap gjyqi kundër një bande spiunësh dhe diversantësh në shërbim të spiunazhit amerikan. Ata akuzoheshin për kryengritje të armatosura dhe për rrëzimin me dhunë të pushtetit popullor.

Në të vërtetë mbetet mister, qeveria Britanike dhe ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës e mohuan zyrtarisht faktin që kishin ndërhyrë në problemet shqiptare. Në vitin 1983 arkivat britanike me lejen e Ministrisë së Jashtme të Britanisë fillojnë të zbardhin këtë enigmë. Historia nis në një lagje të Londrës, kur 3 personazhe kyçë në këtë histori të cilët ishin me status politik të lartë ishin mbledhur për të diskutuar atë që kishte ndodhur. Dy prej tyre ishin të njohur në historinë e Shqipërisë gjatë viteve të luftës, Julian Amery dhe David Smiley pasi kishin qëndruar pranë Abaz Kupit dhe komunistëve të tjerë në vitet 1942-1944. Në vitin 1983 ata ishin mbledhur në shtëpinë e njërit prej tyre dhe bashkë me ta ishte edhe një përfaqësues i CIA-s dhe një prej anëtarëve të kabinetet të Britanisë së Madhe. Sipas BBC personazhet fillojnë të kuptojnë atë çfarë iu kishte ndodhur realisht.

Në atë kohë Bashkimi Sovjetik kishte filluar të ndikonte Luftën Civile në Greqi dhe për t’iu përgjigjur atyre, Britania e Madhe dhe SHBA vendosin të godasin në Shqipëri pasi ishte vendi më i veçuar i kampit socialist që nuk kishte lidhje territoriale me pjesën tjetër të kampit sovjetik. Ishte vend me vijë detare prej rreth 400 km që i mundësonte parkimin e desantëve edhe në vendet fqinje që nuk kishin marrëdhënie të mira me qeverinë e kohës. Duke e konsideruar Shqipërinë si hallkën e dobët të vendeve komuniste shërbimet sekrete britanike dhe ato amerikane vendosin të godasin Shqipërinë. Por duket se nuk mjaftonte fakti për të destabilizuar Shqipërinë sepse ishte vetëm njëri dimension i operacionit, dimensioni i dytë ishte unifikimi i diasporës shqiptare antikomuniste në perëndim dhe krijimi i një qeverie në mërgim, e cila do të ishte e gatshme të hynte në Shqipëri në momentin e parë të turbullirave me ndihmën e anglo-amerikanëve. Bisedimet në Romë nuk qenë të thjeshta, por arritën të japin një përfundim.

Kryetar i komitetit Shqipëria e Lirë, që do të ishte qeveria shqiptare në mërgim, u zgjodh Mithat Frashëri, ish-kreu i Ballit Kombëtar dhe një prej figurave të pakompromentuara të viteve të luftës. Zëvendës i tij do të ishte Abaz Kupi, një nga njerëzit e besuar të Mbretit Zog. Numri i desantëve do të shkonte në mijëra dhe stërvitja e tyre do të bëhej në Maltë. Në vitin 1949 shërbimet sekrete kujtohen se për të filluar një mision të tillë dhe për të qenë të sukseshëm duhej të merrnin miratimin edhe nga mbreti Zog që në atë kohë jetonte në Aleksandri të Egjiptit. Julian Amery dhe Robert Low për të zgjidhur këtë problem udhëtojnë drejt Aleksandrisë ku zhvillojnë një takim sekret me mbretin Zog. I fyer dhe i përjashtuar nga shërbimet anglo-amerikane, mbreti Zog nuk donte të bashkëpunonte. Por në rast se Mbreti nuk e miratonte këtë mision, misioni nuk do të fillonte, ndaj edhe Julian Amery dhe Robert Low ritakojnë mbretin Zog dhe marrin miratimin e tij.

48 orë pasi qeveria shqiptare në mërgim ishte vendosur në New York dhe do të udhëtonte për në Uashington për të bërë takime publike përpara mediave dhe me mbështetjen absolute të senatorëve e kongresmenëve në SHBA, në hotel Lexington shefi i qeverisë alternative shqiptare në mërgim gjendet i vdekur. Mbetet mister vdekja e tij pasi Mithat Frashërit nuk iu krye asnjë autopsi. Ai u varros me nxitim në New York, ndoshta për të fshehur planin që anglo-amerikanët kishin marrë përsipër të realizonin në Shqipëri. Vdekja e tij i preu krahët operacionit për arsye se ai ishte figura e vetme që unifikonte të gjithë faktorët politikë shqiptarë dhe i vetmi i pranuar nga të gjithë.

shtator të 1949 në një natë të errët, anija që do të çonte grupet e para të desantëve shqiptarë brenda territorit niset nga Malta. Por grupet që mbërrinin në Shqipëri njëri pas tjetrit binin në duart e sigurimit shqiptar. Në fund të Shtatorit të 1949 në mbyllje të javës së parë të zbarkimeve një panik shumë i madh përfshin krerët e operacionit anglo-amerikan për destabilizimin e Shqipërisë. Pas mesnate në selinë e shërbimeve sekrete britanike organizohet një konferencë e përbashkët telefonike me krerët më të lartë për të zbuluar se si rridhte informacioni dhe kush ishte njeriu që i jepte informacion shërbimit shqiptar apo KKB Sovjetike.

Kim Filbi dyshohej si personi që mund të kishte shpërndarë informacionin. Por duke mos qenë të bindur në tradhëtinë e Kim Filbit misioni nis të veprojë nga ajri. Por Kim Filbi sipas Robert Low ia hodhi të gjithëve. Në nëntor të 1950 pasi kishin sërvitur mijëra emigrantë shqiptarë të cilët i njihnin si “Kompania  4000” ata nisin desantimin ajror. Më 25 Mars të vitit 1951 publikohet fakti se dy anëtarë të shërbimeve sekrete, miq të afërt të Kim Filbit ishin agjentë sovjetikë të KKB-së dhe punonin brenda strukturës së shërbimit sekret britanik. Por kjo nuk i frenoi amerikanët që po në atë ditë të desantonin në Lushnje një grup tjetër. Bame Morava, një prej njerëzve që i kishte shoqëruar tregon se edhe ata si shumë të tjerë ishin vrarë një nga një. Shërbimet sekrete amerikane kishin kuptuar se diçka nuk shkonte, ata kishin kuptur që jo vetëm dikush i tradhtonte, por edhe mbështetja për desantët shqiptarë ishte inekzistente.

Ata vendosin ti drejtohen të vetmit personalitet të fortë që diaspora shqiptare kishte në ato momente, mbretit Zog. Një agjent i shërbimeve sekrete troket sërish në derën e mbretit Zog dhe i kërkon të udhëtojë drejt SHBA-ve ku do të takonte shefin e shërbimeve sekrete, disa prej senatorëve të rëndësishëm amerikanë, si dhe do të blinte edhe një shtëpi. Një shtëpi, historia e së cilës vijon të mbetet enigmë dhe dyshohet se për të kishte paguar CIA. Në këmbim CIA kërkonte bashkëpunimin e mbretit Zog dhe disa prej oficerëve të tij besnikë të dërgoheshin në Shqipëri. Zenel Shehu dhe Halil Branica ishin autorizuar që të verifikonin autenticitetin e mesazheve që vinin përmes radiove brendave Shqipërisë. Siç dëshmon mbretëresha Geraldinë ata nisen për në Shqipëri me nga një çantë me flori. Ata u desantuan në Shqipëri përmes një rruge të gjatë, por ajo që do të gjenin në atdhe ishte tragjike.

Më 27 Prill të 1952 që në kontaktin e parë me Shqipërinë ata ranë në duart e sigurimit të shtetit që kishte marrë të gjitha informacionet mbi lëvizjet e tyre. Zenel Shehu dhe Halil Branica u arrestuan dhe bashkë me disa të tjerë do të bëheshin pjesë e radiolojës. Zenel Shehu çonte sinjale pozitive, por kjo nuk ishte e vërtetë pasi ai ishte rob i sigurimit të shtetit. Historia bëhet publike disa muaj më vonë kur sigurimi i shtetit fillon të prishë radiolojën për arsye të dekonspirimit të shpejtë që do të ndodhte. Fillon të transmetohet në të gjitha radiot ai që quhej gjyqi ndaj bandave të diversantëve të instruktuara nga imperializmi amerikan.

Zenel Shehu ishte i pari që do të merrej në pyetje nga trupi gjykues. Të gjithë ata që ishin kapur ishin nën dhunë dhe trerror dhe deklaronin në gjyq të gjitha ato që iu ishin kërkuar nga sigurimi i shtetit. Ky moment do të ishte tragjik jo vetëm për to, por edhe për mbretin Zog dhe mbretëreshën Geraldinë, të cilët ndiqnin përmes valëve të Radio Tiranës gjyqin që iu bëhej njerëzve të tyre më besnikë. Ata ishin tradhëtuar nga Kim Filbi. Shërbimet sekrete shqiptare ndiheshin krenare që kishin arritur t’i shpëtonin këtij kërcënimi dhe të vinin në lojë shërbimet sekrete amerikane dhe të Britanisë së Madhe.

Shërbimet sekrete britanike dhe amerikane dështuan në tentativën për të destabilizuar kampin lindor duke filluar nga rrëzimi i regjimit komunist në Shqipëri dhe zëvendësimin e tij me një qeveri demokratike.

Në këto momente u bë krejtësisht e qartë në perëndim se në shërbimet sekrete amerikane ose britanike kishte së paku një informator të rangut të lartë, i cili informonte KKB sovjetike për lëvizjet dhe operacionet e plota, i cili i priste ekzakt në vendin ku do të desantonin. Kim Filbi ishte personi që informonte KKB-në sovjetike, vendi ku më pas edhe u arratis për t’i shpëtuar ndërshkimit në vendin e tij. Operacioni i shërbimeve sekrete kishte dështuar, por jo për shkak të aftësive të tyre, por për shkak të rrjedhjes së informacionit nga Kim Filbi.

Ky ishte dështimi më i madh jo vetëm i shërbimeve britanike dhe amerikane në raport me sigurimin shqiptar, por edhe me Perandorinë e kuqe të cilën po përpiqeshin ta godisnin në hallkën më të dobët, në Shqipëri. Ky dështim i madh detyroi perëndimin të mos provojë më përmes Shqipërisë të sulmonte “Perandorinë e kuqe” që në atë kohë ishte tejet e konsoliduar. /tvklan.al

.





Grupi
LAJMET

Të ngjashme

Autori: Blendi Fevziu

23:10 31/12/2007




Grupi