Pas testit të kaluar me sukses për misione gjatë natës, dronët “Bayraktar” do të kalojnë së shpejti në funksion monitorues 24 orë në shtatë ditë të javës.

Vetë ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, i shoqëruar edhe nga Komandanti i Forcës Ajrore Gjeneral brigade Ferdinant Dimo inspektuan bazën ajrore të Kuçovës dhe njësinë e dronëve, e cila tashmë është plotësuar me personel të kualifikuar.

Monitorimi 24 orë në shtatë ditë të javës nga këta dronë do të shërbeje si një element mbështetës i rëndësishëm për autoritetet vendore të vendit në betejën kundër zjarreve.

Kjo njësi tashmë ka rritur gatishmërinë edhe pas trajnimit të pilotëve për misionet në kushtet e errësirës.

Dronët “UAV” janë përdorur prej disa ditësh në operacionet e përbashkëta me forcat e tjera në luftën kundër zjarreve, për një evidentim më të saktë të vatrave.

Ministria e Mbrojtjes njofton se rezultatet e imazheve të dronëve “Bayraktar” do të kenë rol të rëndësishëm edhe në procesin e evidentimit të dëmeve të shkaktuara nga zjarret.

Klan News