Kreu i SPAK, Altin Dumani ka folur në një takim informal me gazetarët në lidhje me dosjet e nxehta që Prokuroria e Posaçme ka nën hetim. Në lidhje me ekstradimin e Arben Ahmetajt, Dumani deklaroi se janë në pritje, pasi është një proces që zgjat. Ai bëri të ditur se po verifikon të gjitha akuzat e ngritura nga ish-zëvendëskryeministri në median italiane.

“Ne jemi në pritje nga autoritetet zvicerane, është procedurë që zgjat në kohë. Në dijeninë time, procesi i azilit dhe ekstradimit ecin paralelisht por duhet parë legjislacioni zviceran. Ne kemi procedime për inceneratorët dhe këto deklarata janë duke u verifikuar në kuadër të këtyre procedimeve.”

Dumani deklaroi se Gazment Bardhi nuk ka bërë kallëzim në SPAK ndaj Olsi Ramës, por theksoi se kanë regjistruar procedim penal për laboratorin e Xibrakës.

Kryeprokurori i SPAK gjithashtu tha se drejt Emirateve të Bashkuara Arabe janë dërguar 7 kërkesa ekstradimi të personave ndaj të cilëve janë firmosur urdhër arreste ndërkombëtare.

Kreu i SPAK ripërsëriti kërkesën për shtimin e numrit të hetuesve të BKH-së pasi tani ligji i dikton që të zhvillojnë edhe përgjime parandaluese.

Klan News