Flakët që rrezikuan mbrëmjen e djeshme shtëpi e resorte në malin e Shëngjinit janë vënë në kontroll. Ajo çka ka mbetur pas janë pyje të shkrumbuara, çatia e një shtëpie e djegur, si dhe dëme minimale në disa biznese.

“Kjo është banesa që u përfshi pjesërisht nga flakët e zjarrit një ditë më parë në malin e Shëngjinit, aktualisht situata është vënë nën kontroll, ndërsa ndodhen në terren ende forcat e ushtrisë, mjetet zjarrfikëse për të shuar çdo vatër që mund të riaktivizohet”, raporton gazetari Martin Marku.

Ndërsa një ditë më parë, pushuesit e panikosur u larguan nga vija bregdetare, sot kanë nisur të kthehen.

“Ne kemi pas disa dëme tek beach-bari, tek shezlonget. Por siç e shihni edhe vetë, gjithçka është duke u kthyer në normalitet. Pushuesit kanë nisur të vijnë, sot duket krejt situatë tjetër”, shprehet operatori turistik.

Kryebashkiaku i Lezhës, në një deklaratë për mediat, e cilësoi këtë situatë si ndër më të vështirat që ky qytet ka kaluar.

Pjerin Ndreu: Ka qenë një rrezik evident shumë i madh. Nëse nuk do punohej pa pushim për 48 orë do të ishte një histori e trishtë.

Për vënien nën kontroll të flakëve u desh edhe ndihma e dy avionët Canadair që erdhën nga Italia.

Haki Çako: Është një operacion i cili ka qenë jashtëzakonsiht i vështirë, ka kërkuar kapacitete të jashtëzakonshme. Janë përfshirë mbi 300 forca vetëm në momentin final, pa diskutuar prej gati 3 ditësh angazhimin e shumë bashkive.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes ka njoftuar se vazhdon puna për shuarjen e vatrave të zjarrit në të paktën edhe 5 bashki të tjera.

Tv Klan