Kryetarja e Bashkisë së Oslos ka ngritur alarmin se trafikantët e drogës po shënjestrojnë kryeqytetin norvegjez si portë hyrë pasi autoritetet kanë forcuar kontrollet në portet e tjera të mëdha, si për shembull Antverp.

Anne Lindboe tha se drogë me vlerë 570 milionë Paund është trafikuar përmes portit më të madh norvegjez që pret 50 deri në 70 anije dhe 243 mijë kontejnerë çdo javë.

“Duket se porti i Oslos po bëhet porti i preferuar në Europë për kriminelët dhe bandat”, tha Lindboe për mediat lokale. Ajo shtoi se porti i Oslos ka një siguri të dobët.

Më herët gjatë korrikut në Antverp të Belgjikës, që konsiderohet si kryeqyteti europian i trafikut të drogës, sekuestrimet e kokainës janë përgjysmuar, pasi grupet kriminale kanë ndryshuar rrugë për të shmangur kapjen sepse janë rritur masat e sigurisë.

Në Oslo nga ana tjetër ka shqetësime se siguria nuk është ende aq shumë e fortë për ta përballuar këtë situatë.

Sindikata e Doganave në Norvegji tha se ka vetëm një skaner të lëvizshëm në Oslo, i cili ndahet edhe me dy porte të tjera. Por kur ky mjet nuk është në dispozicion, zyrtarët e doganave duhet të kontrollojnë kontejnerët me skanerë dore, por thonë se ato nuk janë shumë efektive.

Udhëheqësja e kësaj sindikate, Karin Tandero Schaug tha se situata sa i përket kokainës dhe krimit të organizuar është “kritike” dhe se është thelbësore që të “riforcohen doganat në Norvegji”.

“Kjo luftë [përreth Europës] është shumë e rëndësishme. Nuk mund ta nënvlerësojmë rëndësinë e kontrolleve në kufij”, tha ajo.

Norvergjia renditet mes tre vendeve të para në Europë sa i përket të rinjve që përdorin kokainë. Vitin e kaluar, doganat norvegjeze sekuestruan drogë në 1847 raste, më shumë se në 10 vitet e fundit të marra së bashku.

Kryebashkiakja e Oslos tha se sasia e kokainës në Oslo është alarmante dhe në rritje, duke nxitur qeverinë qendrore që të veprojë.

“Kur në Antverp janë rritur masat e sigurisë kriminelët do të ndryshojnë rrugë. Norvegjia mund të bëhet lehtësisht një vend tranzit. Njëjtë edhe për Suedinë”, tha ajo./tvklan.al