Dy fëmijë infektohen nga HIV AIDS në 2022


Dy fëmijë infektohen nga HIV AIDS në 2022

19:34 01/12/2022

80 raste të reja, 11 persona humbën jetën

2022 ka regjistruar një bilanc jo të mirë të rasteve me HIV AIDS në vendin tonë. Mes 80 të infektuarve të rinj në 10 muajt e parë të këtij viti rezultojnë dhe 2 fëmijë. Një fëmjë ka lindur me HIV, e ndërsa rasti i dytë, është infektuar gjatë marrjes së shërbimeve shëndetësore në spital.

Prindërit rezultojnë negativë ndërsa bebja ka rezultuar pozitive. Dyshimet në rastet kur prindërit janë negative mbetet për t’u investiguar në shërbimet e kujdesit shëndetësor që i janë ofruar fëmijës gjatë periudhës para infektimit. Fëmija u vendos në terapi menjëherë sapo u konfirmua diagnoza, ka qenë në ndjekje në klinikën pediatrike të shërbimeve infective, por aktualisht po trajtohet për kujdes më të specializuar në një vend fqinj”, tha Olimbi Hoxhaj, drejtoresha ekzekutive e Shoqatës së Personave që jetojnë me HIV/AIDS.

Ndryshe nga vitet e shkuara, të infektuarit nuk janë më të rinjtë. Ndërsa mbizotërojnë meshkujt me 61 raste përkundrejt 19 femrave.

“Këtë vit grupmosha që predominon nuk është ajo seksualisht aktive. Kemi një grupmoshë 39,5 vite tek seksi femër dhe diçka më pak tek seksi mashkull, pra mesatarja e infektimit. Kjo për shkak të sjelljeve homo dhe biseksuale të partnerëve në marrëdhënie”.

Përgjatë 2022 kanë ndërruar jetë 11 persona me AIDS, 5 prej të cilëve u diagnostikuan po këtë vit. Aktualisht në Shqipëri janë të përfshirë në skemën e mjekimit 780 persona të rritur dhe 12 fëmijë me HIV.

Tv Klan









Të ngjashme