Armando Broja, është një emër i nxehtë në merkato. Sulmuesi shqiptar po përgatitet për një aventurë të re, por ende nuk është vendosur skuadra ku do të vazhdojë karrierën.

Chelsea i ka thënë se nuk është në planet e stafit teknik dhe për këtë arsye duhet të largohet. Heqja e numrit 19, për t’ia dhënë Pedo Neto-s, ishte një shenjë që londinezët nuk e llogarisin më 22-vjeçarin.

Interesimet kanë qenë të shumta gjatë kësaj periudhe, ndërsa së fundmi në skenë ka dalë një tjetër klub anglez. Bëhet fjalë për Ipswich Town, që në sezonin e ri do të luajnë në Premier League.

Sipas raportimeve që vijnë nga Anglia, dy klubet janë në bisedime dhe në orët e ardhshme mund të mbyllet një marrëveshje.

Ipswich po tenton të mbyllë një akord në formën e huazimit, diçka që vështirë se pranohet nga londinezët, pasi duan ta shesin përfundimisht lojtarin.

Emri i Brojës është lidhur gjithashtu edhe me klube si Stuttgart, Wolves dhe Everton. /tvklan.al