Kombëtarja shqiptare U-17, do të zhvillojë dy ndeshje miqësore në muajin shtator, me bashkëmoshatarët e Luksemburgut.

Departamenti i komunikimit në Federatën Shqiptare të Futbollit, bën me dije se dy takimet janë planifikuar të luhen në datat 4 dhe 6 shtator.

Ndeshja e parë më 4 shtator, është planifikuar të luhet në stadiumin e Vorës, në orën 16:30, ndërsa miqësorja e dytë me 6 shtator, do të luhet në “Shtëpinë e Futbollit” në orën 10:00.  

Këto miqësore do të shërbejnë për të vëzhguar e testuar nga afër lojtarët e grumbulluar, për t’u përgatitur sa më mirë për raundin e parë kualifikues për Kampionatin Europian U-17 “Shqipëri 2025”.

Kjo do të jetë edhe prova e parë për trajnerin e ri të përfaqësueses U-17, Andrea Tedesco përpara kualifikueseve të Kampionatit Europian që do të luhen në muajin tetor në vendin tonë, ku kuqezinjtë janë pozicionuar në grupin 3 së bashku me Holandën, Kroacinë dhe Ishujt Faroe.

Kombëtarja U-17 është e kualifikuar automatikisht në finalet e Europianit U-17 pasi ky event madhor do të organizohet nga FSHF në bashkëpunim me UEFA-n, në vendin tonë. /tvklan.al