E diel tragjike, 4 viktima nga aksidentet rrugore



E diel tragjike, 4 viktima nga aksidentet rrugore

22:41 03/01/2021

E diela e parë e vitit 2021 ka qenë tragjike. Katër persona kanë humbur jetën për shkak të aksidenteve rrugore.

Aksidenti i parë u raportua në orët e para të mëngjesit në aksin rrugor Lezhë-Milot. Si pasojë e daljes së një makine tip “Benz” nga rruga, një 24-vjeçar me iniciale D.D. humbi jetën. Po ashtu gjatë këtij aksidenti mbeti i plagosur edhe një pasagjer.

Disa orë më vonë, një 62-vjeçar humbi jetën teksa udhëtonte në aksin rrugor Këlcyrë-Përmet. Ai po udhëtonte me biçikletë kur u përplas nga një makinë tip Renault që drejtohej nga një 44-vjeçar.

Përplasja ka qenë e fortë për 62-vjeçarin, i cili ka humbur jetën menjëherë. Por numri i viktimave i shkaktuar nga aksidentet nuk do të ndalej aty.

Rreth orës 15:20 të 3 Janarit, një makinë doli nga rruga në fshatin Gjormë të Vlorës. Për pasojë u dëmtuan drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri. Të dy këta persona u dërguan në spital për ndihmë mjekësore, por shoferi, me iniciale A.R., nuk mundi t’i mbijetojë plagëve të rënda.

Në Laç, një makinë doli nga rruga dhe u përplas me trafikndarëse. Pas kësaj, mjeti shpërtheu në flakë, ndërsa policia njoftoi se si pasojë mori ndihmë mjekësore në spital vetëm pasagjeri.

Bilanci tragjik do të mbyllej me aksidentin e Elbasanit në mbrëmje, i cili mund të kishte pasoja edhe më të rënda. Si pasojë e përplasjes së një makine me një minibus, humbi jetën një i ri ndërsa u plagosën 6 persona të tjerë.

Mësohet se viktima udhëtonte në një makinë tip Volkswagen kabriolet si pasagjer. Ai u plagos rëndë dhe u dërgua në spital, ku nuk mundi të fitonte betejën me jetën.

Kështu vetëm me 3 Janar në Shqipëri janë shënuar 4 të vdekur nga aksidentet rrugore ndërsa 9 të tjerë janë dërguar në spital të plagosur për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore./tvklan.al







Të ngjashme