E DIELA SHQIPTARE – EMISIONI 19 (SEZONI 10) – TV KLAN

E DIELA SHQIPTARE – EMISIONI 19 (SEZONI 10)

Emision: 21.01.2018

Talk Show nga Ardit Gjebrea!

“KA NJË MESAZH PËR TY”
Rasti I

Ylsida ka ardhur në rubrikën “Ka një mesazh për ty”, te “E diela shqiptare”, për t’i dhënë një mesazh bashkëshortit të saj. Ajo rrëfen se jeta e saj ka qenë shumë e vështirë para se të njihte Ledjanin, i cili i dha shumë ngrohtësi asaj dhe djalit të vogël të Ylsidës, Mateos. Ajo shprehet se është shumë e lumtur me Ledjanin mirëpo Ylsidën e shqetëson pak fakti që ai komunikon me femra të ndryshme në Facebook ndonëse ai thotë se e bën këtë gjë vetëm për të kaluar kohën. Për këtë arsye ajo ka vendosur t’i kërkojë publikisht Ledjanit që të reduktojë kohën që ai shpenzon në internet në mënyrë që Ylsida të mos ketë arsye të ndihet xheloze.

Ylsida:  Që në moshën 18 vjeç, kam qenë e martuar në Berat, atje jeta ishte shumë e vështirë, jetonim me prindërit e tij në fillim. Ai luante bixhoz dhe çdo lek shkonte për të luajtur ai. Arritëm u ndamë në shpi me qira dhe atje u bë akoma më keq situata jonë, derisa arritëm në një pikë që më mbanin prindërit e mi, me të ngrënë me çdo gjë që ishte e nevojshme për djalin, derisa një ditë u shkëputëm dhe shkova të jetoja me prindërit e mi prej 5 viteve. Mateon e kisha 1 vjeç.

Ardit Gjebrea: U divorcove me bashkëshortin?

YlsidaPo po, u divorcova dhe pse djalin nuk e ka takuar asnjëherë, nuk e njeh fare. Kur jemi takuar me Ledjanin, djali im e njohu për baba, i thirri që me herën e parë, “babi”.

Ardit Gjebrea: Është bashkëshorti aktual Ledjani?

YlsidaPo dhe në momentin që jemi njohur me Ledjanin, s’e ka pasur problem fare për djalin. E kemi marrë që herën e parë në shtëpinë e tij…

Arditi Gjebrea: Si u njohe me Ledjanin?

YlsidaAi është shumë i dhënë pas Facebook-ut, e përdor shumë atë, por nuk është se jemi njohur në Facebook. Na prezantuan disa njerëzit tanë, ramë dakord dhe shkova jetova te shtëpia e Ledjanit. Kemi edhe babanë e Ledjanit në shtëpinë tonë, dhe bashkë me gjithë djalin tim. Djalin atje e pritën shumë ngrohtë, si nga vjehrri, edhe nga burri, djali është pritur shumë shumë mirë.

Ardit Gjebrea: Pra edhe marrëdhënia që keni sot është një marrëdhënie e shkëlqyer?

Ylsida: Po po, me djalin po. Por tani unë jam xheloze, jo se jam pa fakte jam me fakte. Jam xheloze.

Ardit Gjebrea: Edhe nga natyra?

YlsidaPo jam. Sepse unë them nëse ti vendos të krijosh jetën me dikë, mos shko më tej, mos shiko më tej. U vendosa me ty, ti me mua dhe kaq. Por është shumë i dhënë pas Facebook-ut, edhe pse që në fillim që jemi njohur bashkë, i kam thënë adresën tënde do ta kem unë, adresën time do ta kesh ti. Dhe jemi të përbashkët.

Ardit Gjebrea: Adresa e Facebook-ut është personale, pse duhet ta kesh ti? Facebook-u është personal.

YlsidaFacebook-u është personal? Personal është ai, por brenda çfarë nuk ka ai.

Ardit Gjebrea: Çfarë ka brenda?

Ylsida: Çfarë nuk sheh brenda!

Ardit Gjebrea: Ti çfarë ke zbuluar?

Ylsida: Po është tip shumë ngacmues Ledjani. Dhe ngacmon shumë.  Adresat që ai ka me emrin e tij dhe që m’i ka dhënë mua, ato ia kontrolloj çdo ditë unë. Por ka adresë tjetër që unë nuk ia gjej dot atë paswordin që t’ia kontrolloj çdo ditë që dua unë.

Ardit Gjebrea: Domethënë ka edhe adresa të tjera?

YlsidaPo normale që ka.

Ardit Gjebrea: Sa mund të ketë ai për shembul??

Ylsida: Po që në fillim që jemi njohur bashkë, ai kishte dy. Po edhe një a dy të tjera, që nuk i di unë, duhet të jenë.

Arditi Gjebrea: Po ty nga të erdhi dyshimi?

YlsidaPo e shihja se e përdorte telefonin fshehurazi ai. Lozte me të, kur vija unë, e fshihte ai. Çfarë bëre i thoja, “hiç asgjë” më përgjigjej. Edhe unë nuk e jepja veten, derisa erdhi një ditë që ia gjeta atë Facebook-un dhe ç’të shihje…

Arditi: Hë më thuaj?si

YlsidaPlot me të cilat fliste. Thashë është tip shumë ngacmues…

Ardit Gjebrea: Po çfarë ju thoshte?

YlsidaPo çfarë i thoshte, për çfarë mund të bisedojnë një mashkull dhe një femër në Facebook?

Arditi Gjebrea: Si je, si shkon?

YlsidaSi je, si shkon, shpirt, zemër, ka edhe nga këto.

Ardit Gjebrea: Oooo, edhe shpirt edhe zemër? Edhe të “hongsha synin”?

YlsidaPo edhe nga këto…

Ardit Gjebrea: Edhe ti, ia plase apo ia ruajte t’ia thuash sot?

YlsidaJo ia kam plasur unë atij, ia kam plasur kush e di sa herë unë atij…

Ardit Gjebrea: E ka pranuar?

Ylsida: E ka pranuar, më thoshte janë thjeshtë për të kaluar kohën jo se ka ndonjë gjë. Shtyj kohën kur jam në punë, kohën e lirë…

Ardit Gjebrea: Tani përtej shakave, kjo histori ka ndikuar ndopak në marrëdhënien tuaj?

YlsidaKohët e fundit po.

Ardit Gjebrea: Ti ke biseduar vetëm me të apo edhe me ndonjë anëtar tjetër të familjes?

Ylsida: Babai i tij, di çdo gjë.

Ardit Gjebrea: Ia ke thënë ti vjehrrit?

YlsidaVjehrri e ka marrë vetë vesh por edhe nga ne, se po të jesh në një shpi, do merret vesh çdo gjë…ai i di dhe falë Zotit atë e kam në krahun tim.

Ardit Gjebrea: Përse e ke thirrur sot Ledjanin?

YlsidaE kam thirrur që t’i them të heqë dorë nga Facebook-u, nga celulari ose të heqë dorë nga unë. Ai do zgjedhë vetë, kush është më e mirë për atë, interneti apo familja.

Ardit Gjebrea: Cili është motivi që të shtyu që ta bësh këtë gjë këtu?

Ylsida: Po sepse në familje e kemi bërë kush e di sa herë, dhe thotë jo nuk do e bëj më dhe përsëritet prapë. Dhe t’i hapin sytë mirë ato femrat me të cilat ai flet…

Drejtuesi i emisionit Ardit Gjebrea i propozon Ylsidës që Ledjanit t’i bëjnë një lojë. Ai tha se kishte bindur një nga zonjat e publikut që të hiqej si një nga femrat  me të cilat bashkëshorti i Ylsidës flet në Facebook.

Ndërkohë Gjebrea e pyet se çfarë duhet të ketë parasysh zonja për Ledjanin kur të flasë, Ylsida përgjigjet: Thuaji kemi folur bashkë në Facebook, edhe do flasë vetë pastaj ai…se s’dihet me sa persona ka folë dhe mbase do të na dalë diçka tjetër…

 Stafi i “E diela shqiptare”, udhëtoi për në vendbanimin e Ledjanit dhe e kontaktuan atë te vendi i tij i punës. Ai e pranoi ftesën për të qenë pjesë e rubrikës “Ka një mesazh për ty”, dhe pyetjes së Arditit “Përse ke ardhur sot këtu? “, Ledjani iu përgjigj me humor: Nuk kam ardhur vetë, më kanë sjellë të tjerët”.

Në ekranin e murit ndarës më pas shfaqet Zana, zonja nga publiku, së cilës i është kërkuar  të luajtur rolin e një prej femrave që Ledjani flet në Facebook.

LedjaniS’e njoh fare atë unë…

Ardit Gjebrea: Je i sigurt?

Ledjani: Po shumë i sigurt.

Ardit Gjebrea: Nuk e ke parë askund? Po më çudit.

LedjaniS’e njoh fare.

Gjebrea zonjës: Mund të flasësh e dashur.

Zana: Ledi përshëndetje. Unë jam ajo që ti më shkruan në Facebook, gjithmonë. Madje kohët e fundit nuk më ke shkruar më. Nuk e di si, por..

LedjaniSi të quajnë ty?

ZanaDiana.

LedjaniDiana kam nusen e vëllait, nuk njoh njeri tjetër me këtë emër. 

Zana: Nuk e di, por ndërkohë që më shkruan mua u shkruan edhe të tjerave. U dërgon mesazhe edhe shoqeve të mia.

Ardit Gjebrea: Çfarë të ka thënë, cila është ajo fjalë që të ka mbetur në mendje?

ZanaFjalë të bukura, fjalë ëndrrash… ndërkohë që komunikon edhe me të tjera.

LedjaniAto janë gjëra  aventuriere. Le që ty  nuk të njoh fare, s’të kam parë asnjëherë e as nuk kam folur me ty.

Ardit Gjebrea: Ti sot zbulove që Ledjani është i martuar, e dije që është i martuar?

ZanaJo, më ka thënë jam beqar.

LedjaniJam i martuar, kam dy çuna. Kam një nuse të mrekullueshme. Edhe nëse kam bërë ndonjë gjë në Facebook, s’ka qenë asgjë serioze.

Ardit Gjebrea: Ti zonjës i ke krijuar idenë që e pëlqen?

LedjaniNuk e njoh fare.

Në përfundim të kësaj situate të improvizuar, e cila shkaktoi humor dhe të qeshura në monitor shfaqet edhe Ylsida, ku Gjebrea sqaron për Ledjanin se gjithçka ishte një shaka dhe se zonjën e kishte bindur stafi që të thoshte këto fjalë.

Mesazhi i Ylsidës për bashkëshortin : Tani si do t’ia bëjmë bashkë ne? Do heqësh dorë një herë e mirë, nga Facebook-u, duke qenë se kemi pasur tërë kohën debate?

Ledjani: Ti s’më ke kuptuar asnjëherë mua se kur bëjmë shaka bëjmë shaka, dhe kur është një gjë serioze është serioze. Unë dua të të them që nuk jam i interesuar për asnjë lloj lidhjeje dhe ti je e vetmja femër për mua në këto botë!

Pas shkëmbimit të disa batutave mes bashkëshortëve Gjebrea e përmbyll  duke thënë se gjithçka u tha në studio në fund të ditës ka vetëm një emër :dashurinë dhe fton çiftin të përqafohen.

Rasti II

Marsida, një nënë e re e divorcuar sjell historinë e saj prekëse në “Ka një mesazh për ty” tek “E diela shqiptare”. Ajo tregon rreth jetës së saj, martesës që i fali një djalë dhe situatave të vështira që kishte kaluar gjatë jetës martesore. Megjithëse tashmë ndihet e lumtur në shtëpinë e prindërve dhe me djalin, ajo kërkon të ndryshojë jetën e saj. Marsida ka ftuar në “Ka një mesazh për ty” të ëmën, e cila e ka mbështetur gjithnjë, jo vetëm për ta falënderuar por edhe për t’i kërkuar asaj diçka.

MarsidaJam Marsida, vij nga Sukthi. Jam e divorcuar prej 5 vitesh, kam një djalë 5 vjeç, jetoj me prindërit dhe me vëllain, kam edhe një motër që jeton në Itali. Arsyeja pse kam ardhur këtu, është për t’i përcjellë një mesazh mamit, por edhe për të treguar historinë time, sepse unë e kam historinë një çikë të dhimbshme. Unë kam qenë e martuar, kam ndenjur 1 vit e martuar dhe pas një viti linda djalin.

Ardit Gjebrea: Si u njohe me ish bashkëshortin tënd?

MarsidaMe ish bashkëshortin tim, me mblesëri. Sepse fakti që jeton në fshat nuk është se të jep shumë mundësi që të njohësh ose të dalësh. Unë isha 18 vjeç, sapo i kisha mbushur, dhe fakti që isha 18 vjeç i bën banorët që të flasin si ka mundësi që është 18 vjeç dhe akoma beqare. Nuk e konceptojnë faktin që mund të rrish pa u martuar për një kohë të gjatë deri në 22-23 vjeç.

Unë u fejova, gjërat shkonin mirë, por prapë nuk ndjehesha mirë me atë njeri, por e bëra për hatër të familjes edhe shikoja që nuk ndihesha e plotësuar me atë njeri, nuk është se qëndronte me mua, dilte…Familja e tij më thoshte çfarë të mungon, ti i ke të gjitha, por realisht mua më mungonte i biri i tyre, nuk ishte asnjëherë me mua kur e doja praninë e tij. Jetoja në shtëpinë e tij në Tiranë. Edhe kushtet ishin shumë të mira, çdo gjë ishte shumë mirë, më trajtonin si mbretëreshë, nuk më linin të prekja gjë me dorë, por prapë nuk ndihesha rehat sepse nuk kisha nevojë për gjëra materiale.

Ardit Gjebrea: Ty të mungonte bashkëshorti…

MarsidaPo, dhe kjo i bënte ata të mendonin se unë isha e llastuar dhe që doja të isha gjithë kohën në qendër të vëmendjes. Ndërkohë që burri im edhe kur vinte në shtëpi nuk rrinte me mua, më shmangte me pretekstin për të parë televizor dhe kur i kërkoja të dilnim më thoshte dil me shoqet e tua, nuk kam kohë, më lër rehat.

Më pas Marsida mes emocionesh tregon që kishte ngelur shtatzënë dhe depresionin që kishte vuajtur pas lindjes.  

“Kuptoja që te unë po ndodhte diçka problematike. Kalova në depresion, nuk e doja fare djalin, se kisha krijuar përshtypjen se kam një fëmijë me dikë që nuk më do dhe rrjedhimisht nuk do të dojë as djalin e vet. Në momentin që mami vjen më nxjerr nga spitali, mjeku i thotë që vajza ka nevojë për një psikiatër. Por kur vjehrra ime e degjon këtë thotë jo, s’ka nevojë për psikiatër kjo, kjo bën vetë se është llastuar gjithë kohës. Ata si familje nuk e pranonin dot faktin që nusja e tyre kishte probleme”.

Pyetjes së Gjebreas nëse ata ju gjendën afër në këtë moment të vështirë, Marsida i përgjigjet: Jo, nuk e pranonin dot faktin që unë do të shtrohesha në spital apo do merrja mjekime nga një psikiatër. Dhe vjehrri im tha “sa të çmendet në shtëpinë tonë, më mirë të çmendet në shtëpinë e saj”. I kërkova mamasë menjëherë të më merrte në shtëpi, mami më mbështeti ndërkohë që babai ishte kundër faktit që unë të largohesha nga shtëpia e burrit dhe të shkoja te ata. Vjen tezja më shtron në spital, në psikiatri, këtu në Tiranë ku qëndroj një muaj.

Ardit Gjebrea: Si e përjetove momentin e shtrimit në spital?

MarsidaUnë nuk e përjetova keq, vërtetë kisha probleme, edhe po shkoja për t’u kuruar ndërkohë që mua më bëri shumë mirë. Aty u njoha me shumë raste të tjera të dhimbshme dhe kuptova që rasti im ishte shumë i vogël në krahasim me çfarë dëgjoja. Aty mora forcë, mendoja që njerëzit kanë probleme më të mëdha se sa unë edhe ia kanë dalë, kështu që edhe unë do t’ia dal. Dhe unë ia kam dalë, nuk e kam për turp të them që unë kam qenë e shtruar në psikiatri dhe mbase mund të shtrohem edhe më vonë përsëri, sepse nuk i dihet mund të përsëritet prapë si problem. Por falë mbështetjes së mamit dhe njerëzve të saj, unë u kurova.

Ardit Gjebrea: Ajo çfarë më bën përshtypje dhe nga këto që më tregove deri tani, është fakti që ti e thua dhe nuk e ke problem fare të pranosh këtë moment të vështirë depresioni në jetën tënde, kur shumica e fshehin dhe nuk e tregojnë as në rrethe të ngushta jo më publikisht. Ky është një rast për të cilin unë të falënderoj.

MarsidaUnë nuk ndihem keq, njeriu ka ardhur në jetë për të përballuar atë çfarë jeta i ofron. Kur unë kisha kaluar në depresion kishte raste që thoja “Zoti nuk ekziston për mua”, por pastaj kur filloja të reflektoja thoja “Zoti ka ekzistuar sepse më ka dhënë një engjëll që unë duhet të marr forcë dhe të eci përpara”.

Ardit Gjebrea: Çfarë marrëdhënie kanë sot babai i fëmijës me djalin?

MarsidaUnë i flas vazhdimisht djalit, i flas mirë. Gjykata ka vendosur që ai ta takojë një herë në javë, dy orë por te shtëpia ime. Por unë ia lë djalin, nuk e kam problem, se vjen xhaxhai i tij e merr.

Ardit Gjebrea: Tani pse na ke thirrur mamin sot këtu?

MarsidaFakti që rri në fshat më mbyt Ardit, më bën të kaloj prapë në depresion. Nuk duroj dot gjërat e mbyllura ngaqë jam tip që dua të lëviz gjithë kohës, dua të merrem me diçka.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç është djali?

MarsidaPesë..

Ardit Gjebrea: Mendon që ti duke jetuar vetëm mund t’ia dalësh edhe me djalin ?

Marsida: Mund t’ia dal Ardit sepse unë e kam forcën, mund t’bëj dy punë çfarëdolloj pune të jetë. Djalin mund ta lë në kopësht gjatë kohës që punoj. Do ta gjej një mënyrë. Edhe me mamin ka kohë që e kam biseduar. Babi është dakord ndërsa mami më thotë që nuk ia dal dot.

Mamaja e Marsidës, Shqipja erdhi me shumë kureshtje në studion e “E diela shqiptare” për të zbuluar se kush ia kishte bërë ftesën në rubrikën “Ka një mesazh për ty”.

Ardit Gjebrea: Ke menduar se kush mund të jetë?

Shqipe: Ndoshta fëmijët. Unë kam tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë. Kam edhe një nipçe, pesë vjeç.

Biseda vazhdon me humor kur Gjebrea i thotë se përtej murit ndarës është “krushqia”, ndërkohë që Shqipja buzëqesh dhe në ekran shfaqet vajza e saj Marsida.

“Doja të të thoja mama, që kam nevojë që vendimet e mia t’i marr vetë, kam nevojë të rri me djalin tim, t’i përkushtohem djalit tim sepse më duket se koha po kalon dhe unë s’po bëj asgjë për të. Ti e ke edukuar djalin tim, na ke rritur edhe neve në mënyrë perfekte. Por ka ardhur momenti që unë të jetoj vetëm me tim bir dhe dua t’i ofroj atij një jetë më të mirë”, tha Marsida në mesazhin e saj për të ëmën.

Shqipja u përgjigj se prindërit duam gjithmonë më të mirën për fëmijët, por se ka pasur frikë gjithmonë dhe nuk donte që Marsida të hedhë hapa të gabuar.

Megjithatë ajo tha se Marsida është e lirë të vendosë në jetën e saj, por do të donte që djali i vogël të jetonte me të. Përqafimi i tyre në fund , u shoqërua edhe me një kompromis duke vendosur që Marsida t’i japë më shumë kohë nënës së saj, në mënyrë që ajo të pranojë shkëputjen nga ajo dhe nga nipi 5 vjeçar.

“BLACK BOX”

Një garë gatimi mes shefave të restoranteve më të famshëm në Shqipëri nën gjykimin e një prej personaliteteve më të rëndësishëm të kulinarisë në Europë dhe për herë të parë gjykuar dhe në aspektin e vlerave ushqyese prej dietologes sonë, Blerina Bombaj. Quhet Black Box sepse përbërësi misterioz, që do të jetë baza e gatimit,  ndodhet në një kuti të zezë të cilën do ta zbulojmë vetëm sot dhe shefat nuk e dijnë se për çfarë bëhet fjalë! Me një diferencë shumë të vogël pikësh fitues doli Chef Armanti. Një garë që na la një shije shumë të mirë dhe na pasuroi me këshilla rreth gatimit.

“TELEBINGO SHQIPTARE”

“SHIHEMI NË GJYQ”

Dy  bashkëshortët, Halit dhe Afërdita Koxhai kanë ardhur në rubrikën “Shihemi në gjyq” te “E Diela Shqiptare” për shkak të një konflikti për një pronë, të cilën nuk e duan. Një arsye mjaft e çuditshme kjo, pasi jemi mësuar që në seancat e ndërmjetësimit të trajtohen konflikte për të kërkuar prona dhe jo për t’i refuzuar.

Afërdita ankohet se e kanë akuzuar pa të drejtë për marrjen e tokës së kunatit, vëllait të Halitit, por ajo nuk ka qenë në dijeni të dokumenteve që tregojnë se kjo pronë rezulton në emrin e bashkëshortit të saj.  

“Unë kam ardhur këtu për një akuzë të rëndë. Para 3 viteve më është bërë një akuzë që i kam marrë tokën kunatit. Nuk e dinim që e kishin hedhur pronën nga ATP-ja, veçse kur na thonë: ‘Toka është në dorën tuaj’. S’kemi tokë thashë unë, vetëm 10 dynym. Ai tha ka firmosur bashkëshorti. Për këtë kam ardhur sot. E ke firmosur a s’e ke firmosur? Ti më ke shkatërruar jetën mua!”

Haliti refuzon të ketë firmosur për këtë pronë, ndaj kërkon nga drejtësia të gjejë se kush ka firmosur në emrin e tij. Bashkëshortja e tij rrëfen gjithashtu se prej 32 vitesh ndodhen në konflikt për një shtëpi të përbashkët me vëllain e Halitit, në fshatin Gegë.

Afërdita – Më nxorën përjashta, vet i pestë!

Haliti – Unë nuk kisha çfarë t’i bëja se e kisha vëlla mbi të gjitha! Prandaj e mbrojta … Ai ma punoi.

Afërdita – Si ndenja një vit përjashta … Vajta në darkë nuk më hapën derën, kisha tre fëmijë …

Afërdita tregon se kunati i saj, Fetahu, përveçse i ka nxjerrë nga shtëpia, për të cilën kanë kontribuuar të gjithë, i ka akuzuar se i kanë marrë tokën që vazhdon e punon, me pretendimin se e shfrytëzojnë ata prej 24 vitesh.

Afërdita  Nuk e duam se është e atij!

Haliti – Ç’është e drejta, unë nuk kërkoj tokën, por drejtësinë!

E. Çobani – Ke folur ndonjëherë me vëllain?

Afërdita – S’ka folur fare!

Haliti – Unë që prej vitit ’86 nuk flas me atë.

A. Gjebrea – Në qoftë se tokën e kanë vënë në emrin tuaj, merreni …

Haliti – Epo gjykata i dha të drejtë atij, hajdutit! S’ma dha mua.

Juristja Çobani thotë se më 24.04. 2015, Fetahu i është drejtuar Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Berat dhe ka paditur të vëllain, Halitin, në mënyrë që ta njohë si pronar të tokës, pasi sipas dokumenteve rezulton në emrin e këtij të fundit. Por Haliti betohet që nuk e ka patur kurrë këtë tokë. Eni Çobani ngre pyetjen nëse gjykata ka hetuar sa i vërtetë është ky denoncim sepse ky çift po vuajnë për diçka që nuk e kanë bërë.

Haliti – Ai thotë ma ka marrë para 24 vitesh, por unë nuk kam marrë tokë me firmë. Ai e punon vetë tokën.

Afërdita – Kur u martua ai edhe krevatin tonë na e mori, ne flinim përtokë. Krevatin ma mori, shtëpinë ma mori, vetëm fëmijët i kanë ngelur pa marrë! Të marrë dhe fëmijët dhe unë të rri rehat …

Haliti – Epo mirë, do ta ndihmonim ne se e kisha “byrazer”!

Afërdita  Hyra në kredi, në borxh se s’kisha. Më erdhi Zyra e Përmbarimit me gjithë policinë donin lekë! Mua më ka humbur e drejta e fjalës.

Haliti – Ky problemi jonë është për të tallur e për të qeshur! Kemi ngrënë një gjobë të kotë. Të rrish në punën tënde dhe të të ngarkojë tjetri me tokë.

Po bëj 3 vjet që po vuaj. Më ka hedhur një barrë të kotë!  Më ka marrë 1 milion e 100 mijë lekë (të vjetra) Zyra e Përmbarimit, 400 mijë lekë (të vjetra) m’i mori avokati që s’ më bëri gjë e më shiti. Ne ishim pa punë të gjithë.

Afërdita – 1 vit ka ky me pension. Me pensionin tim të invaliditetit kam mbajtur 12 veta.  Vajta 62 vjeç, unë do shkatërrohem komplet.

Nuk e dua më burrin!

Haliti – Kë s’do ti, mua?

Afërdita – Nuk e dua, aq më ka stresuar.

Haliti – E mirë, rri vetëm unë.

A. Gjebrea – Si mund ta thuash këtë në sy të djalit që është këtu?

Haliti – Rri ti me çunat se unë rri vetëm.

Afërdita – Unë dua dëmshpërblim për shqetësimin që më ka krijuar, për burrin që më ndau dua dëmshpërblim më të madh, se më ndau pas 40 vitesh martesë. Unë dëmshpërblimin e kërkoj nga gjykata se ajo më dënoi!

Vëllai i Halitit, Fetah Koxhai pranoi të jetë pjesë e kësaj seance ndërmjetësimi nëpërmjet një lidhjeje telefonike, për të dhënë edhe ai këndvështrimin e tij mbi këtë çështje.

“Në vitin 1991-1992, kur u ndanë tokat, Komisioni më dha mua 1 dynym e 800 metra tokë. Unë kam qenë në Greqi emigrant kur është bërë matja e dytë. Halit ose Afërdita Koxhai, që i keni aty në studio, kanë qenë prezent dhe kanë thënë që është toka e tyre”.

Por bashkëshortët e refuzojnë këtë gjë, duke e quajtur madje edhe gënjeshtar Fetahun. Ky i fundit thotë se ka dëshmitarë për këtë pretendim dhe tregon se mësoi rreth pronësisë së tokës kur shkoi për ta regjistruar tokën. Ai shprehet se e çoi çështjen në gjyq sepse kërkonte prej Halitit vetëm një deklaratë të shkruar që toka ishte e Fetahut.

Haliti – O zotëri, pse nuk erdhe këtu  të ballafaqohesh me mua? Pse më ke hedhur një akuzë që gjoja unë të kam marrë tokën ty 24 vjet e ta kam punuar? Ti ku ishe?

Po ti më ke qëlluar me gurë mua se thyeva një kallam atje e jo më të punoja unë atje për 24 vjet! Ti do më kishe ngrënë të gjallë mua! Ti ma hodhe tokën mua e merrje përkrahje në Komunë. Unë nuk kam qenë atje kur është regjistruar se kam qenë në punën e shtetit. Ti ke qenë vetë aty që i ke thënë hidhja vëllait se unë do marr përkrahje! Toka rrinte në kurrizin tim, ndërsa ti e punoje.

Ta dish që më ke bërë një … nuk e di ç’të them! Prandaj do mbash përgjegjësi një për një. Thuaj të vërtetën, me kë i bëre dokumentet? Kush të mësoi për të groposur Halitin? Por nuk e gropos dot Halitin ti, ta dish mirë!

Fetahu – Asistencë kam marrë se Haliti ka marrë 10 dynym tokë, ndërsa unë 8.

E. Çobani – Arsyeja që ju nuk vini në publik … se është shumë e çuditshme që vëllai nuk i vjen vëllait, motra nuk i vjen vëllait, motra nuk i vjen motrës … Është një çudi e madhe që po ndodh në Shqipëri!

Mos është arsyeja e vërtetë që ju realisht doni të fshihni një dorë tjetër pas jush, të cilën tanimë nuk e fsheh dot as ti, as Myslymi, as Haliti dhe askush tjetër sepse do të funksionojë ligji në këtë vend përfundimisht?!

Më thuaj të vërtetën e kësaj historie sepse kjo histori tanimë ka marrë përmasa të atilla që askush nuk mund ta ndalojë më!

Fetahu – E vërteta e historisë është që unë e hodha Halitin në gjyq, me vendim gjykate e me ekspertë topograf, toka m’u hodh mua.

E. Çobani – Po Haliti po ta thotë vetë që toka është jotja, ta ka thënë edhe atje!

Fetahu – E ka thënë që tokën e ka Fetahu, po tha dua një cep aty. Ia dhashë atë cepin mbrapa për shtëpi. E di vetë ai historinë!

Afërdita – Pse zotëria ka deklaruar 6 dynym, kur ka 10? Ku i ka 4 dynym? Tatim nuk i paguan, asgjë. Unë desha nga kjo seancë ndërmjetësimi t’i matet toka një për një se ka 8 parcela dhe deklaron vetëm 4 parcela!

Fetahu – Sa kanë ata, kam dhe unë. Këtë punë s’e kam bërë unë, e ka bërë shteti!

Afërdita – Pse nuk dënove shtetin ti, por më dënove mua?

Këtë seancë ndërmjetësimi e ka ndjekur nga publiku i studios i biri i Afërditës dhe Halitit dhe një person, Enver Agalliu, toka e të cilit është në kufi me këtë të Fetahut. Ai thotë se Haliti nuk e ka punuar në asnjë moment këtë tokë, por ka qenë vetë Fetahu.

“Ai të ballafaqohet me mua dhe të ishte sot këtu që t’ia tregoja unë se çfarë ka bërë!”, shprehet Enveri.

Për sa i përket pyetjes se me kë nga motrat ose vëllezërit shkon mirë Haliti, ky i fundit tha se Fetahu ka bërë që të gjithë t’i kthejnë shpinën.

Në këtë seancë ndërmjetësimi, publiku i “E Diela Shqiptare” i dha të drejtë Afërditës, e cila ankohet që është dënuar duke qenë e pafajshme.

Juristja Eni Çobani këshilloi bashkëshortët t’i drejtohen Prokurorisë së Beratit, ku do të bëjnë një kallëzim penal për dokumentin që provon se toka ka kaluar nga Fetah Koxhai te Halit Koxhai.  Personi që e ka firmosur këtë dokument do të përgjigjet përpara ligjit dhe do të dëmshpërblejë Halitin për të gjithë shpenzimet e gjyqit dhe dëmin moral që i kanë shkaktuar Afërditës, tha Çobani.

Afërdita ankohet: “Haliti nuk ka bërë asnjë përpjekje për mua!”, ndërsa Haliti përgjigjet: “ Afërditën e rregulloj unë”.

Seanca e ndërmjetësimit përfundoi me sukses. Afërdita mësoi se bashkëshorti i saj nuk e ka firmosur atë dokument që ka shkaktuar aq shumë konflikte në familje, ndërsa Haliti do të mund të gjejë një zgjidhje për çështjen me të vëllain në Prokurorinë e Beratit.

“POWER KIDZ 4”
Konkurentët:
Nirvana Shehu,
Arba Sevdari,
Leart Truka,
Amber Spahi,
Xhonatan Asllanaj,
Enri Teta

Kategori
E DIELA SHQIPTARE
0 Komente

Përgjigju

*

*