Fushata elektorale e zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2001 angazhoi edhe kryebashkiakun e Tiranës në atë kohë, Edi Rama. Lidhur me ingranimin e tij në këtë fushatë në mbështetje të Partisë Socialiste, Rama foli në intervistën e realizuar më datë 15 Qershor të vitit 2001 në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu. Sipas Ramës, ingranimi i gjithkujt në fushatë është obligim moral qytetar.

“Është e vërtetë që unë jam ingranuar në fushatën elektorale të Partisë Socialiste, por është e vërtetë gjithashtu se jam i detyruar të përmbush obligimet e mia si kryetar bashkie dhe si qytetar i Tiranës. Mendoj se ingranimi i gjithkujt që kërkon një të ardhme më të mirë në këtë fushatë është një obligim moral qytetar. Më 24 Qershor qytetarët e Tiranës nuk do të votojnë për të zgjedhur mes dy partish, por do të votojnë për të zgjedhur mes dy rrugësh, rrugës për të çuar Shqipërinë përpara dhe rrugës që fare kollaj mund ta kthejë Shqipërinë pas. Nga ana tjetër, si kryetar i bashkisë së kryeqytetit unë ndjeva një nxitje të brendshme për të marrë pjesë në fushatë sepse luhen shumë fate të kryeqytetit dhe mbi të gjitha fati i kantierit të madh që unë kam hapur në bashkëpunim me qeverinë qëndrore dhe Kryeministrin Ilir Meta”, tha Rama.

I pyetur nëse përfshirja e tij në fushatë ishte vendimmarrje personale apo e kërkuar nga dikush tjetër, Rama tha se ka qenë vendim i tij.

“Më lejoni të krenohem deri në një provë të kundërt, që qoftë për arsye të caktuara të jetës time deri sot nuk kam hedhur hapa që nuk kanë qenë rezultat i një vendimi personal. Zor se dikush mund të më kërkojë apo mund të më detyrojë të bëj diçka. Ingranimi im në fushatë ka qenë i lidhur edhe me një diskutim që unë kam bërë me liderët e PS sepse nuk bëhet fjalë për një fushatë personale, por për një fushatë të koordinuar dhe për efekt të këtij ingranimi unë e kam bërë edhe këtë bisedë. Por nuk ka një strukturë që mund të ma ngarkojë një detyrë të tillë sepse nuk varem nga ndonjë strukturë tjetër përveç këshillit bashkiak dhe qytetarëve të Tiranës”, tha Rama.  / tvklan.al