Lajme Arkiva – TV Klan 2003

Kryetari i bashkisë së Tiranës Edi Rama, procesin zgjedhor e ka quajtur të tejzgjatur dhe të dështuara përpjekjet e opozitës për të përmbysur në mënyrë abuzive qeverisjen vendore të Tiranës.

Edi Rama:- “Më shumë se sa të shpreh sot kënaqësinë për fitoren e zgjedhjeve, unë e kam të pamundur të shpreh trishtimin tim, për faktin që ne nuk kemi një opozitë të denjë, ne nuk kemi një opozitë, ku të shikojmë një alternativë të një qeverisje, e cila jo vetëm nuk është më e mira e mundshme, por po bëhet gjithmonë e më e atakueshme, në sytë e qytetarëve. Nuk mund të fsheh as edhe dëshpërimin tim kur shoh, se si kryetari i opozitës, ka pafytyrësinë, të dali dhe i buzëqeshur të thotë, se ja kjo është Tirana, ku zgjedhjet zgjasin më muaj. Ndërkohë që është aktori kryesor në këtë poshtërim të qytetarëve të Tiranës”.

Gjatë konferencës së parë për shtyp, menjëherë pas zgjedhjeve të djeshme, Edi Rama bëri me faj edhe misionin e OSBE-së i cili sipas tij, duhet të nxjerrë përgjegjësitë e veta, lidhur me këtë proces zgjedhor.

Edi Rama:- “Unë mendoj, se mbarëvajtja e procesit zgjedhor në përgjithësi dhe veçanërisht mënyra se si shkoi procesi në Tiranë, nuk e lë jashte përgjegjësisë, misionin e OSBE në Tiranë dhe jam i bindur që misioni dhe shefi i OSBE-së, nuk mund të luajnë rolin e Ponc Pilatit dhe të lajnë duart, pasi kanë dhe ata përgjegjësinë e tyre, për mangësitë e kodit zgjedhor, për mangësitë e regjistrit të votuesve, për mangësinë e kritikës ndaj përgjegjësve dhe për nxjerrjen reale të përgjegjësive”.

Rama nuk la pa përmendur edhe komentatorët e shtypit, të cilët sipas tij në hulumtimet e tyre kanë pasur mungesa faktesh, duke e çuar këtë proces jashtë kontrollit të mediave. Rama uroi gjithashtu edhe festën e Vitit të Ri.

Edi Rama:- Ju urojë të gjithëve, Gëzuar Vitin e Ri! Paçi sa më shumë fat, në dashuri në radhë të parë, në punë në radhë të dytë dhe natyrisht në gjithçka tjetër dëshironi”./tvklan.al

Gazetare – Danjela Kostandini