Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, gjatë turit të tij në jug të vendit, në qytetin e Gjirokastrës ka premtuar pajisjen me certifikata pronësie sipas ligjit 7501 të fermerëve në të gjithë vendin.

Rama tha se gjatë dy viteve të fundit ai është takuar me qindra fermerë, të cilët kanë bërë kërkesa për certifikatë pronësie dhe e cilësojnë situatën si një problem tepër serioz.

Edi Rama: “Unë nuk çuditem që sa herë them që do t’u japim të gjithë bujqve, fermerëve certifikatën e pronësisë mbi tokën bujqësore mbi bazën e ligjit 7501 cinikët e Ministrisë së Bujqësisë dalin me vrap në televizor dhe thonë që kjo punë ka mbaruar, ndërkohë që unë shkoj cep më cep të Shqipërisë dhe gjej njerëz që punojnë tokën që është e tyrja, por që nuk është e tyre.”

Kreu socialist premtoi se me ardhjen në pushtet qeveria e tij do të bëjë më shumë se qeveritë e 18 viteve të marra së bashku.

Edi Rama: “Ndryshimi që i duhet Shqipërisë dhe që duan të gjithë njerëzit si ju nuk mund të vijë duke parë lart se ç’do bëjnë ata që kanë 18 vjet që bëjnë të njëjtën gjë dhe që nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër, por duke parë njëri-tjetrin në sy si njerëz që duan të njëjtat gjëra dhe që vetëm së bashku mund t’i arrijmë dhe duke u bashkuar me njëri-tjetrin për një politikë të re që mendon dhe punon për zgjedhësit dhe jo për të zgjedhurit”.

I bindur në fitoren e zgjedhjeve të 28 Qershorit, Rama tha se alternativa e tij do të ndryshojë realitetin e Shqipërisë./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle