Deformimi i shtyllës kurrizore po kthehet në problem kryesor për fëmijët. Shkak kryesor sipas mjekëve është rëndesa e çantës së shkollës por edhe përdorimi i tabletëve dhe celularëve për një kohë të gjatë.

“Deformimi në formë S të kolonës. Ne hasim shumë raste të cilat ndikojnë në ecurinë e këtij ç’rregullimi. Në një nga rekomandimet që u japim prindërve është ju lutem gjërat jo të domosdoshme të mos i marrë fëmija me vete që të ulet pesha e çantës. Një problem shumë serioz është edhe telefoni celular”, thotë ortopedi Abdurrahim Palushi.

Në shumicën e rasteve deformimi i shtyllës kurrizore kapet në faza të hershme, por nëse neglizhohet, skolioza sjell pasoja të rënda edhe në organet e zemrës dhe mushkërisë.

“Fakti që kapet shpejt lidhet me diagnozën shumë shpejt dhe komplikimet janë shumë të vogla.  Deformimi skoliotik është deformim që në përqindje të madhe të rasteve prek pjesën ku është vendosur mushkëria dhe zemra dhe bën të mundur kompromentimin e funksionit të këtyre dy organeve”.

Skolioza, apo e thënë ndryshe deformimi i shtyllës kurrizore, shoqërohet me dhimbje në pjesën e kurrizit. Sipas bluzave të bardha, këto probleme po ndeshen që tek grupmosha 3 vjeç deri tek të moshuarit.

Tv Klan