Socialistët e njohin detyrimin për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese, por në seancën e të enjtes për mocionin e mandatit të koleges së tyre Olta Xhaçka do të shkojnë pa një vendim të unifikuar politik.

Pas mbledhjes së grupit parlamentar këtë të martë, Peleshi rishprehu gatishmërine e mazhorancës për t’ju drejtuar Venecias për një opinion jo për rastin konkret të Xhaçkës, por nëse përballen me votime të kësaj natyre të qartësojnë se ku fillon dhe ku mbaron vullneti i shprehur me votë i deputetit.

Peleshi pohon se të enjten nuk do ia delegojë të drejtën për interpelance tek Taulant Balla, ministri për marrëdhëniet me parlamentin, por do t’i përgjigjet personalisht pyetjeve dhe akuzave të opozitës për çështjen e mbetjeve të rrezikshme të kompanisë Kurum që kaluan nga porti i Durrësit.

Ashtu si në intervistën për Tv Klan, Peleshi tregoi gatishmëri për t’u ulur me homologun demokrat për të folur pa tabu për çdo nismë, përfshirë dhe atë për reformën zgjedhore që kërkon opozita.

Ndërkohë nga ana tjetër grupi parlamentar socialist do të jetë i fokusuar me kohë të plotë dhe tek fushata zgjedhore. E për të folur për strategjinë e komunikimit që do të ndiqet për zgjedhjet parlamentare, por dhe për reformën antikorrupsion janë thirrur nga kryeministri në një takim informal të premten në një resort privat në Elbasan.

Tv Klan