Sylvinho e ka thënë shpesh që dyert e kombëtares janë të hapura për të gjithë futbollistët. Një prej tyre është edhe Rey Manaj. Ai nuk e ka pasur asnjëherë të vështirë kombëtaren, por kësaj radhe dyert e përfaqësueses i kanë hapur golat e tij të shënuar në Turqi.

“Lojtarët e tjerë që lozën në Gallatasaraj apo Fenerbahçe kanë shumë më shumë raste, por jam i kënaqur për këtë arritje. Tani duhet të shohim para. Gjërat e kaluara nuk kanë më vlerë”, shprehet ai.

Manaj ishte një nga lojtarët më të mirë ndaj Ukrainës. Ai tregoi cilësitë që duhet të ketë një futbollist i kombëtares.

“Sidomos dhe ardhja e trajnerit ka qenë një frymëzim shumë. Jemi lojtarë të rinj, por duhet të jemi të përqendruar gjithmonë. Ndeshja me Ukrainën na dha shumë forcë morale se nuk është e lehtë të bësh europianin dhe të vish të fitosh me Ukrainën”, tha Manaj.

Si e sheh 27-vjeçari të ardhmen e kombëtares në Nations League?

“Ne e kemi përgatitur mirë ndeshjen dhe trajneri ka përgatitur të gjitha gjëra mirë por rëndësi ka të mos kemi shumë emocione se do lozim para gjithë tifozëve tanë”, u shpreh ai.

E pastaj vijnë kualifikueset e botërorit. Sipas Manajt forca e këtij ekipi është grupi.

“Mund të jetë miqësore, kualifikuese apo Nations League, unë besoj se duhet të futemi në fushë gjithmonë, të mos shohim individualitete se nuk është asnjë Cristiano Ronaldo, asnjë Messi. Për të krijuar diçka të madhe duhet të kemi grup të fortë dhe të jemi gjithmonë altruistë me njëri tjetrin”, tha Manaj.

Tv Klan