Të dielën në “Air Albania”, publiku shqiptar do të ketë mundësi të shijojë muzikalin francez “Notre Dame de Paris”.

Një trupë ndërkombëtare do të luajë nesër në kryeqytetin shqiptar ndërsa rolin e Esmeraldës e luan këngëtarja e njohur shqiptare Elhaida Dani.

Ajo ishte e ftuara e radhës në podcastin e kryeministrit këtë fundjavë. Dani është shprehur se shfaqja e nesërme ka për të pasur sukses.

Kryeministri Edi Rama: Ka një arsye pse e sheh atë ëndërr me sy hapur, por sigurisht që nga ti, te ëndrra me sy hapur është një shkretëtirë për t’u kaluar në këmbë me të gjitha vështirësitë, me të gjitha pengesat, me të gjitha të papriturat, me të gjitha rrëzimet e të tjerë dhe jam i bindur që ti ke patur momentet e tua dhe do të doja të ndaje me mua një moment në këtë periudhën përpara se të bëheshe Elhaida Dani që më vjen keq që je ndier në pikën ku s’ke dashur fare të ekzistosh nga stresi dhe dhimbja e rrëzimit.

Elhaida Dani: Të them të drejtën përpara se të bëhesha Elhaida Dani, nuk kam patur momente të tilla. Kur je akoma pa arritur, pa i prekur realizimin e ëndrrave deri në një farë pike, asgjë nuk të duket aq e vështirë sepse ke diçka më të madhe për të cilën të luftosh. Kështu që, nuk të lodhin orët e tepërta në makinë. Nuk të lodhin që atë ditë duhet të kontrollosh sa lek ke në xhep për të ngrënë bukë. Nuk të bëhet vonë që në doganë të kthejnë se nuk ke mjaftueshëm para me vete dhe përndryshe do ishe një emigrante që endej rrugëve të Italisë, kështu që, e dashur, kthehu në shtëpinë tënde. Nuk do e bësh audicionin e Italisë dhe do e riprovosh prap. Asgjë s’të duket mjaft e vështirë sepse ka diçka tjetër më të madhe atje në fund të tunelit, ajo drita që ti do ta arrish se s’bën, sepse ti e di që ka njerëz që do ti tregosh atë gjënë që ke brenda. Është pastaj, pasi e ke arritur, pasi e fitove Voice-n, më në fund ia dole, Voice-n apo çfarëdo lloj gjëje që doje të realizoje. E solle Notre-Dame në Shqipëri. Pastaj, ka një moment që ti ndalon dhe thua “okay”. Çfarë ndjej tani unë? Çfarë realizova në të vërtetë? Çfarë ndryshoi? Çfarë i ndryshova të tjerëve? Çfarë bëra? Me një fjalë, gjithë kjo lodhje, gjithë kjo përpëlitje për…? edhe aty fillojnë me të vërtetë vështirësitë. Aty thua me të vërtetë: “O Zot, nuk dua më’’ sepse qenka gjithmonë një sprovë pas sprove, sepse ti e realizon ëndrrën e parë, por s’do të mjaftojë kurrë. Do të duash diçka tjetër më të madhe, e diçka tjetër më të madhe e aty jeta jote kthehet thjesht në një sfidë. Në një lodhje për fitore. Në një kërkim për fitore për t’i treguar botës që ti vlen akoma sepse nuk je thjesht ajo që fitoi ‘’Voice-n’’, por ti bën edhe këtë, bën edhe këtë, ti sjell edhe Notre-Dame, por unë e di shumë mirë që të dielën, Notre-Dame do të mbarojë. Do jetë një sukses i madh, ndër më të mëdhenjtë për mua dhe tek unë do të ngelet një ditë lumturie dhe pastaj do jetë: “Po tani?!” dhe kjo është sfida më e madhe.

“Notre Dame de Paris” është bërë pjesë e rekordeve Guinnes si muzikali më i parë ndonjëherë që në vitin e parë, në Shtator të 1998 në Paris./tvklan.al